Al Zawahri, homazhe figurës së Bin Laden

16/11/2011 16:55

Lideri i Al Kaedës, Ayman al Zawahri ka shpërndarë një video ku i bën homazhe figurës së Osama bin Laden. Lajmin e bën të ditur televizioni pakistanez “Express”.

Në mesazh kreu i ri i organizatës terroriste e cilëson Bin Laden si një njeri “shembullor” për nderin dhe dinjitetin e tij.

Në videon që zgjat gjysmë ore, i titulluar “Ditët me imamin”, pjesa e parë, Al Zawahri e përshkruan themeluesin e Al Kaedës si një person fisnik, bujar dhe i mirë.

“Kam pasur nderin të jem në shoqërinë e tij për periudha të gjata, në udhëtime dhe në rrethana të tjerë”, spjegon Al Zawahri.

Ai u njoh me Osama Bin Laden në Pakistan, nga mesi i viteve ’80, kur të dy mbështesnin luftën kundër forcave sovietike në Afganistan.

“Sheiku do të ndihej shumë i trishtuar nëse vëllezërit e tij do të mposhteshin në rrugën e gjatë të xhihadit, ose nëse nuk do të arrinin objektivat e tyre legjitimë”, rrëfen Al Zawahri.

“Ai njeri ishte shumë besnik ndaj vëllezërve të tij dhe e kishte për zakon të kujtonte virtytet e tyre”, shprehet më tej krahu i djathtë i kryeterroristit, që ka qenë edhe truri i strategjisë së Al Kaedës.

“Bin Laden e kishte për zakon të kujtonte 19 personat që sulmuan idhullin e kohëve të sotme, Amerikën. Pentagonin, që është selia që drejton ushtrinë e saj, dhe Nju Jorkun, simbol i fuqisë së saj ekonomike”, shton ai.

Al Zawahri e mbyll fajlimin e tij duke thënë se kjo video, që nuk dihet se kur është regjistruar, do të pasohet nga video të tjera mbi Bin Laden.

Top Channel