Qeveria shtoi huamarrjen afatshkurtër

14/11/2011 08:15

Parashikimi tejet i fryrë i të ardhurave buxhetore në buxhetin e këtij viti vuri në vështirësi qeverinë, e cila, nga ana e saj, iu drejtua bankave për më shumë financim afatshkurtër, ndërsa këto të fundit përfituan interesa më të larta. Lajmi bëhet i ditur nga një analizë mbi situatën e borxhit publik përgatitur nga Ministria e Financave.

“Gjatë vitit 2011 ka pasur një tendencë në rënien e yieldit (interesit) mesatar të ponderuar. Kështu, në fund të vitit 2010 ky tregues ishte 8,432%, ndërsa në fund të shtatorit 2011 arriti në 8,071% për totalin e portofolit të huamarrjes së brendshme. Gjithsesi, vlen të theksohet se kjo rënie e yieldit mesatar të ponderuar nuk është e asociuar me rënien e normave të interesit të instrumenteve shtetërore, por me faktin se është rritur pesha specifike e instrumenteve afatshkurtra në portofol”, thuhet në analizën për koston e borxhit përgatitur për diskutimet mbi projektbuxhetin e vitit 2012.

“Interesat e letrave me vlerë të qeverisë gjatë 9-mujorit kanë pasur përgjithësisht tendencë rritëse, që prej fillimit të vitit, edhe pse këto norma janë në nivele më të ulëta krahasuar me normat e vitit të kaluar. Kjo rritje është ndikuar edhe nga sjellja e Ministrisë së Financave për ta mobilizuar të gjithë huamarrjen për vitin 2011 në tregun vendas, si dhe e ka përqendruar atë në pjesën e parë të vitit”, vijon më tej raporti.

Qeveria parashikoi një buxhet të fryrë për vitin 2011 me besimin se kriza ka përfunduar dhe gjithçka është kryer në normalitet. Por kur të ardhurat e buxhetit të shtetit qenë shumë të dobëta, ajo u detyrua të rrisë huamarrjen dhe e bëri këtë duke emetuar bono 3-mujore. Bankat, të cilat kanë fuqi të ndjeshme në tregun e borxhit të brendshëm, përfituan nga rasti për të rritur interesat për instrumentet afatshkurtra, pasi qeveria nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër.

“Është ushtruar presion i vazhdueshëm në drejtim të rritjes së yieldeve të bonove dhe obligacioneve gjatë ankandeve të këtij viti. Ministria e Financave ka reaguar ndaj sjelljes së bankave tregtare, duke analizuar me kujdes ofertat nga pjesëmarrësit, duke përjashtuar në disa raste edhe ofertat me yielde më të larta, natyrisht duke u kushtëzuar nga nevojat për likuiditete”, thotë zyra e menaxhimit të borxhit në Ministrinë e Financave.

Bankat private në Shqipëri zotërojnë 70 për qind të tregut të borxhit publik, ndërsa 14 për qind të tjera disponohen nga Banka e Shqipërisë, e cila nuk ka ndikim, pasi nuk merr pjesë në ankand. Bankat janë përcaktuese edhe për interesat e bonove që blihen nga individët, pasi këto të fundit, në shumicë dërrmuese hyjnë në ankand me ofertë jokonkurruese, pra blejnë bono me interesin mesatar që rezulton nga ankandi, ku marrin pjesë shumë pak banka.

Fuqia e ndjeshme e bankave në tregun e bonove të thesarit u krijua kur bankat në Shqipëri qenë nën pronësi shtetërore dhe funksiononin thjesht si grumbulluese depozitash nga qytetarët për financimin e borxhit publik. Por bankat prej vitesh tashmë janë të privatizuara. Interesat nominale dhe reale të borxhit publik shqiptar konsiderohen tepër të larta. Për bonot njëvjeçare aktualisht paguhet interes nominal prej 8 për qind, ndërsa në kushtet kur inflacioni është 3 për qind, paguhet një interes real prej 5 për qind. Autoriteti i Konkurrencës hapi vitin e kaluar një hetim mbi këtë treg, por nuk ishte në gjendje të marrë një vendim, për shkak se qeveria është praktikisht nën varësinë e bankave për të financuar borxhin publik dhe asnjë përpjekje për liberalizim nuk është kryer ende.

Top Channel