A.Saudite, e revoltuar nga autoritete siriane

13/11/2011 11:30

Arabia Saudite dënoi me tonet më të ashpra Qeverinë Siriane, e cila nuk ishte në gjendje të ndalontë një sulm të ndodhur ndaj ambasadës së saj në Damask, gjatë një manifestimi pro presidentit Bashar al-Assad.

Ambasada saudite dhe ajo e Katarit u dhunuan nga një turmë e tërbuar pas votimit të dy shteteve pro vendosjes së sanksioneve ndaj Sirisë, gjatë një mbledhjeje të Ligës Arabe.

Autoritetet siriane u shprehën se vendosja e sanksioneve nga ana e Ligës binte ndesh me “statusin” dhe misionin e organizatës. Vendimi i bashkisësë së vendeve islamike mbërriti pasi një marrëveshje e mëparshme që duhet të vendoste paqen në Siri dështoi.

Disa qindra protestues goditën me gurë ambasadën saudite, ndërsa disa arritën të çanin rrethimin dhe të hynin brenda, duke djegur dokumenta dhe plaçkitur sende me vlerë.

”Autoritetet siriane nuk ndërmorrën masat e nevojshme për të penguar demonstruesit nga dhunimi i ambasadës, që sipas ligjit ndërkombëtar, është një territor i pavarur dhe sovran i shtetit tonë”, shkruhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Arabisë Saudite.

”Qeveria saudite dënon fuqimisht incidentin dhe mban përgjegjëse autoritete siriane për mungesën e sigurisë dhe mbrojtjes së të gjithë interesave saudite në Siri”.

Sipas raportimeve të “Reuters”, edhe konsullatat franceze dhe turke në qytetin e Latakias u sulmuan. Për momentin, koncelaritë e jashtme të të dyja këtyre shteteve nuk kanë reaguar.

Ditën e shtunë, 18 vende antare të Ligës Arabe, ku presidencën e radhë se ka Katari, votuan për përjashtimin e Sirisë nga mbledhjet dhe për imponimin e sanksioneve. Gjithashtu, në bazë të vullnetit të shteteve, do të ndërpriten edhe marrëdhëniet diplomatike, me tërheqjen e ambasadorëve.

Siria, Jemeni dhe Libani ishin të vetmet vende që votuan kundër, ndërsa Iraku abstenoi. Ndërsa revoltat vazhdojnë në zonat më të nxehta të Sirisë, OKB konfirmon vdekjen e më shumë se 3 500 personave që prej fillimit të protestave në muajin mars.

Top Channel