Masat shtrënguese, Roma voton sot

11/11/2011 09:10

Senati Italian do të votojë ditën e premte planin e kursimeve financiare të kërkuara nga Bashkimi Europian, për të shmangur kolapsin e ekonomisë së tretë më të madhe të Eurozonës.

Masat, gjithashtu i hapin rrugën dorëheqjes së paralajmëruar të Kryeministrit Berlusconi. Në mediat italiane, përflitet gjithmonë e më shumë mundësia që të formohet një qeveri teknike, e udhëhequr nga ish-Komisioneri Europian për Konkurrencën, Mario Monti.

Ditën e enjte, Italia morri një hua prej pesë miliardë eurosh nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë, duke rritur edhe më tej shqetësimet e Brukselit, ndërsa norma e interesit që Roma duhet të paguajë, prej 7%, konsiderohet si e rrezikshme prej financierëve.

Me bisedimet që nisën që në mëngjes, pritet që të kalohet në votim gjatë pasdites. Berlusconi, i cili humbi shumicën në parlament gjatë javës, premtoi se do të largohej nga detyra e tij sapo të miratoheshin disa reforma dhe ligje të domosdoshme në kuadrin e krizës financiare.

Pritet të shikohet me interes se si do të votojë mbi masat e ashpra financiare reagimi i Montit, i cili në cilësinë e senatorit të përjetshëm, ka të drejtë votojë në Senat.

Një skuadër ekspertësh nga Bashkimi Europian ka mbërritur ndërkohë në Romë, për të mbikqyrur se si Italia planifikon të reduktojë borxhin e saj tepër të lartë, i cili vlerësohet në 120% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Situata për Italinë bëhet edhe më e ndërlikuar, përballë parashikimeve për një rritje ekonomike të ulët në rastin më të mirë ose rënie në recesion sipas pesimistëve.

Top Channel