SHBA, kandidatët republikanë: Jo ndihmë Europës

10/11/2011 16:45

Kandidatët republikanë për presidencën amerikane deklaruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të qëndrojnë jashtë problemeve financiare të Europës dhe të mos pranojnë thirrje për investim parash.

Gjatë seancës së radhës të debatit republikan në Miçigan, ish-guvernatori i Masacusets, Mit Romni dhe ish-drejtuesi i industrisë së picave, Herman Kein, thanë se Europa duhet të kujdeset për veten.

“Europa mund të kujdeset për problemet e saj. Ne nuk duam të ndërhyjmë dhe të shpëtojmë bankat apo qeveritë e tyre”, deklaroi Romni.

Në këtë pikë të gjithë kandidatët u shprehën dakord, ndërsa më pas vazhduan debatin e tyre, ku fatkeqësisht, u përsërit performanca e dobët e guvernatorit të Teksasit Rik Perri. Ndërsa humbet pikë në cdo sondazh. Perri në debatin e fundit premtoi shkurtimin e tre agjensive shtetërore, por nuk i kujtohej njëra prej tyre.

“Nëse do të zgjidhem president, do të eleminoj agjensinë për tregtinë, arsimin dhe… nuk po më kujtohet e treat”, deklaroi Perri mjaft i turpëruar.

Megjithë batutat e rivalëve të tij, ai nuk ka mundur ta kujtojë agjensinë e tretë, ndërsa pas debatit shumë analistë thanë se ai duhet t’i japë fund fushatës së tij që tani.

Top Channel