Raporti i BE: Eurozona rrezikon recesionin

10/11/2011 15:15

Një raport i Bashkimit Europian uli në mënyre drastike parashikimet për rritjen ekonomike në Eurozonë në vitin e ardhshëm, nga 1,8% në 0,5%.

”Europa është duke kaluar aktualisht një fazë stanjacioni dhe ekziston rreziku i rikthimit në një fazë të re recesioni”, deklaroi të enjten Komisioneri për Ekonominë, Olli Rehn.

Rritja e ulët e bën edhe më të vështirë për Europën që të shpëtojë nga kriza e borxheve, ndërsa rëndon sidomos pozitat tashmë të paqëndrueshme të ekonomisë italiane.

Roma zyrtare mori një borxh prej pesë miliardë eurosh nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë gjatë javës, por do të jetë e detyruar të shlyejë interesa rekord prej 7%, nga 1-3% që paguajnë ekonomitë e tjera të mëdha në obligacione.

Duke u përqendruar tek Italia, Rehn informoi se nëse politikat aktuale të Romës për kursimin nuk ndryshojnë, në vitin e ardhshëm defiçiti do të mbetet i njëjtë në normën 120,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, përpara se të pësojë një rënie të lehtë në 118,7% në vitin 2013.

Nga ana tjetër, situata në Greqi do të bëhet katastrofike me marrjen e huave të reja kolosale, që do të rrisin defiçitin nga 140%, në pothuajse 200% të PBB-së.

Ndërkohë, pas disa ditësh rënie të vazhdueshme në bursat europiane, bursa franceze dhe ajo gjermane arritën të regjistronin disa fitime modeste, por monedha e përbashkët euro vazhdon të zhvlerësohet përballë dollarit dhe stërlinës për të disatën javë rradhazi.

Top Channel