Pak kohë pas heqjes së barrikadës në Jarinjë, serbët vendas kanë rivendosur sërish një barrikadë të re në rrugën drejt Rashkës.
Sipas mediave serbe, qytetarët janë mbledhur që nga mëngjesi me drunj dhe materiale të tjera, për të kryer barrikadën.
Rrugët kryesore kanë mbetur të bllokuara kryesisht për KFOR-in e EULEX-in, si dhe për lëvizjen e lirë të njerëzve pasi serbët, për nevojat e tyre kanë krijuar shumë rrugë dytësore.
Serbët e përqendruar në veri të Kosovës duket sikur nuk po dëgjojnë më as thirrjet e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, që bëri thirrje për heqjen e barrikadave.
Ndërkohë, burime në terren i thanë “Top-Channel” se në terren kanë zbritur edhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme serbe, për të penguar rivendosjen e barrikadave.
Pavarësisht së nisjes së aksionit për zhbllokimin e rrugëve, deri më tani është raportuar vetëm për tri barrikada të larguara nga rrugët, nga 21 të tilla. Dy rrugët kryesore të krahinës, Mitrovicë-Zubin Potok dhe Mitrovicë-Leposaviç vazhdojnë të jenë ende të bllokuara.
Ndërkohë, barrikada më e madhe dhe problematike, ajo mbi urën e lumit Ibër vazhdon të jetë e palëvizur.
Të premten, Bashkimi Europian do të vendosë për dhënien e statusit kandidatit për Serbinë. Brukseli ka paralajmëruar më parë autoritetet serbe se barrikadat mund të rrezikojnë procesin e integrimit europian të vendit.
Top Channel