Korçë, vrasja e taksistit do rigjykohet

07/11/2011 17:30

Gjykata e Apelit në Korcë riktheu për gjykim dosjen e vrasjes së taksistit Fredi Talelli.

Pas apelimit që iu bë vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, një Kolegj Penal nga Gjykata e Apelit vendosi rikthimin për rigjykim nga e para të cështjes, pasi në dosje janë verejtur shkelje të rënda proceduriale.

Tashmë, dosja do të rigjykohet nga trupi gjykues i shkallës së parë, ku të pandehurit pritet të kenë sërish të njëjtat pretendime.

Gjykata e Shkallës së Parë në Korcë, në qershor të këtij viti dha vendimin për dënimin e 6 personave të përfshirë në vrasjen e taksistit nga zona e Pilurit.

Elkjero Revani u dënua me burg të përjetshëm, ndërsa Arnest Xhaçka me 16 vjet burg, pavarësisht se prokuroria në pretencë kishte kërkuar 12.5 vjet heqje lirie.

Me 8 vjet heqje lirie është dënuar Domeniko Kumria nga Elbasani, që strehoi autorët dhe hodhi makinën në lumin Shkumbin, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe përkrahje të autorëve të krimit.

Gjykata ka dënuar Kastriot Paplekën me 5 vjet për pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe armëmbajtje pa leje dhe dy minorenët e tjerë: Amarildo Selmani dhe Jurgen Zeqja me 6 muaj burg.

Arnest Xhaçka ka thënë në seancën e fundit se e pranon krimin, por jo vrasjen. Këto vendime u apeluan dhe tashmë rigjykimi do të nisë nga e para.

Top Channel