Rrisqet e buxhetit te ri

05/11/2011 00:00

Edhe pse buxheti i vitit të ardhshëm është ai me rritjen më të ulët të
viteve të fundit, me vetëm 3 përqind, sërish mund të rezultojë optimist dhe i parealizueshëm.

Rreziku i parë vjen nga ecuria e të ardhurave gjatë këtij viti. Rritja 3 përqind është parashikuar mbi planin e të ardhurave në buxhetin e 2011-ës. Por nëse ajo krahasohet me realizimin, llogaritë ndryshojnë dhe jo pak. Këtë vit plani i të ardhurave është 343 miliardë lekë.

Por për shkak të mosrealizimeve vetë qeveria pret që shifra në fund të vitit, të mos jetë më shumë se 330 miliardë. Kjo do të thotë që rritja e parashikuar e të ardhurave për vitin e ardhshëm nuk është më 3 për qind, por plot 7 për qind. Duke parë ecurinë e taksave në nëntë muajt e parë të këtij viti, ku të ardhurat janë rritur me vetëm 1 për qind, gjasat që buxheti të dështojë janë të larta, pasi do të jetë shumë e vështirë për administratën tatimore dhe atë doganore që vitin e ardhshëm t’i rrisë të ardhurat 7 herë më shumë nga rritja e këtij viti.

Por ky nuk është rreziku i vetëm. Një tjetër pasiguri vjen nga rritja ekonomike. Qeveria thotë se vitin e ardhshëm ekonomia shqiptare do të rritet me 4.3 për qind.

Dy ditë më parë BERZH tha se për shkak të krizës greke, Shqipëria mund të ketë vitin tjetër një nga vitet më të keq ekonomik me vetëm 1 për qind rritje. Ky tregues cënon direkt deficitin dhe borxhin publik. Së fundmi, edhe këtë vit ashtu si gjithmonë hartimi i buxhetit u mbikëqyr ngushtë nga misioni i Fondit Monetar. Por ndryshe nga herët e tjera këtë radhë ekspertët e Fondit u larguan pa bërë asnjë koment në publik. Ndoshta një tjetër sinjal, për kohët e turbullta që po kalojnë financat publike.  

Top Channel