Samiti i G20 nuk zgjidh krizën e borxhit

04/11/2011 21:35

Liderët e vendeve të G20-ës të mbledhur në Kanë e kanë përfunduar samitin me një plan për të nxitur rritjen dhe ribalancimin e ekonomisë globale.

Megjithatë, në përfundim nuk u dha asnjë detaj mbi mënyrën për zgjidhjen e krizës së borxhit të eurozonës, që dominoi dhe samitin.

“Ne do të luftojmë për të mbrojtur Evropën dhe euron”, deklaroi në një konferencë për shtyp në mbyllje presidenti francez Nicolas Sarkozy.

Ai tha se liderët e vendeve të G20-ës ranë dakord për të fuqizuar burimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe nënvizoi se hapat specifikë do të vendosen në shkurt të vitit të ardhshëm.

Redaktorja e cështjeve ekonomike në redaksinë e BBC, Stephanie Flanders ka deklaruar se samiti duket se ka dështuar, për shkak të mungesës së publikimit të detajeve dhe shifrave në komunikatën e fundit.

“Franca nuk mundi të bindte pjesën tjetër të vendeve anëtare që të caktonin shifra për të siguruar një rrjet financiar më të sigurtë për eurozonën”, ka deklaruar Flanders.

Kryeministri britanik David Cameron deklaroi gjithashtu se në samit nuk u arritën marrëveshjet e parashikuara.

“Pati dy marrëveshje për eurozonën dhe FMN-në, por problemi nuk është tek marrëveshjet. Problemi është se jo të gjitha detajet janë vënë në vend”, nënvizoi Cameron.

Sarkozi u shpreh më tej se Franca dhe Gjermania ishin në favor të një takse për transaksionet financiare dhe se shpresonin që ajo të aplikohet në vitin 2012.

Ndërsa presidenti amerikan Barack Obama u shpreh entuziast për angazhimet për një fleksibilitet më të madh të valutave.

“Kjo është dicka për të cilën ne kemi bërë vazhdimisht thirrje dhe do të jetë një hap kritik për nxitjen e rritjes ekonomike”, deklaroi Obama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA