Luftë mes agjentëve 007

03/11/2011 14:40

Mes aktorëve që kanë interpretuar agjentin sekret më të famshëm të ekranit, James Bond, ka nisur një luftë e ashpër.

Lufta nuk është me pistoleta dhe armë të teknologjisë së lartë si ato që përdoren në filmat e 007-ës, por me batuta mes aktorëve, që pretendojnë se kanë performuar më mirë agjentin.

Ka qenë Roger Moore që ka hedhur batuta thumbuese ndaj parardhësit të tij në rolin e Bond, Sean Connery.

Sir Roger Moore ka deklaruar se, “Connery është një aktor i mirë, por unë nuk e kuptoj atë kur flet”.

Gjithashtu, Moore është shprehur kritik ndaj filmit të fundit të agjentit 007, “Quantum of Solace”, i cili sipas tij ishte tejet komercial dhe me skena aksioni shumë të ekzagjeruara.

Në fakt, personazhi i krijuar nga pena e Ian Fleming është më tepër një agjent i rafinuar dhe kalsi dhe jo i tipit aksion, si Ethan Hunt i “Mission Impossible”, apo Jason Bourne i “The Bourne Identity”.

Sir Roger, 84 vjec, ka interpretuar James Bond në 7 filma të sagës gjatë 12 vjetëve, duke e nisur me “Live and Let Die”.

Aktorët e tjerë që kanë performuar të njëjtin rol kanë qenë Sean Connery, i konsideruar si Bondi më i mirë, George Lazenby, Tymothy Dalton, Pierce Brosnan dhe së fundmi Daniel Craig.

Top Channel