Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka deklaruar se
Aleanca nuk ka ndërmend të bëjë ndërhyrje ushtarake në Iran.
Deklaratën e tij, Rasmussen e ka bërë në një konferencë për shtyp, ku iu kërkua një koment mbi lajmet e publikuara në shtypin anglez, për një sulm amerikano-britanik ndaj impianteve bërthamore të Teheranit.
“Ne mbështesim përpjekjet për një zgjidhje politike dhe diplomatike dhe i bëjmë thirrje liderëve iranianë që të zbatojnë rezolutat e OKB-së”, ka deklaruar Rasmussen.
Ndërkohë, shefi i Aleancës i ka drejtuar një apel edhe Këshillit Kombëtar të Tranzicionit në Libi, që të ndalë trafikun e armëve në Afrikën e Veriut.
“Autoritetet libiane duhet të bëjnë gjithcka për të vënë situatën nën kontroll”, ka thënë sekretari i përgjithshëm.
Konferencën e tij, Rasmussen e ka mbajtur pas kthimit nga një vizitë zyrtare në Tripoli, ku shpalli përfundimin e misionit të NATO-s dhe takoi presidentin Jalil.
Top Channel