Ish-kryetari i bashkisë së Moskës, Yuri Luzhkov ka akuzuar presidentin rus Dmitry Medvedev se sillet si një diktator.
Në një intervistë për BBC, Luzhkov ka kritikuar gjithashtu përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, duke parashikuar manipulimet.
Ish-kryetari i bashkisë ishte dikur një nga politikanët më me influencë në Rusi, derisa u shkarkua rreth një vit më parë pas një mosmarrëveshjeje me Kremlinin.
Që atëherë autoritetet ruse e kanë akuzuar atë dhe bashkëshorten e tij për korrupsion.
Luzhkov ka deklaruar se zgjedhjet e dhjetorit nuk do të jenë të lira dhe të ndershme dhe se guvernatorët rajonalë do të jenë nën presion për të siguruar rezultate pozitive për partinë në pushtet, Rusia e Bashkuar.
“Nuk do të ketë një garë reale. Nuk ka alternativa për të zgjedhur. Për fat të keq ne tashmë e dimë se cili do të jetë rezultati dhe se kush do të qeverisë Rusinë vitin e ardhshëm”, ka theksuar Luzhkov.
Medvedev, i cili mori presidencën në vitin 2008, pritet të bëhet kryeministër. Luzhkov e konsideron kryeministrin aktual Vladimir Putin, që pritet të kthehet në postin e tij të mëparshëm, si fytyrën më demokratike të dyshes që udhëheq aktualisht Kremlinin.
“Pavarësisht faktit se Putin shihet në Perëndim si një person më pak demokratik se Medvedev, në fakt është më tolerant ndaj cdo lloj mosmarrëveshjeje”, ka thënë Luzhkov.
Top Channel