Zhvillimet greke e italiane, bursat në pikiatë

31/10/2011 20:05

Bursat europiane u mbyllën me humbje ditën e hënë, ndërsa pritet një rënie drastike të nesërmen, pasi Greqia vendosi në lojë aprovimin e planit të euros, duke shpallur një referendum.

Tregjet europiane pësuan mesatarisht humbje prej 3%, ndërsa bankat humbën një pjesë të mirë të kuotimit të shtuar pas miratimit të marrëveshjes së Eurozonës.

Nga ana tjetër, euro humbi 1,5% të vlerës së tij përballë dollarit dhe paundit. Përveç zhvillimeve greke, në qendër të shqetësimeve mbetet edhe aftësia e Romës zyrtare për të financuar borxhin e saj.

Analistët parashikojnë një goditje nga e cila Eurozona do ta ketë të vështirë të mbijetojë, nëse edhe ekonomia italiane do të kalojë në kolaps dhe do të ketë nevojë për kredi madhore për të shpëtuar.

Nga e gjithë kjo situatë, bankat e kontinentit janë më të ekspozuarat nga të gjitha problemet. Franca është shteti më i goditur, me “Societe Generale” që pësoi një rënie prej 9,8% dhe “BNP Paribas” që ra me 9,6%. Nga ana tjetër, në “pikiatë” edhe bankat gjermane dhe angleze. “Deutsche Bank”, “Commerzbank” dhe “Royal Bank of Scotland” ranë në kuotime me më shumë se tetë përqind.

Top Channel