Libi, zgjidhet kryeministri i ri

31/10/2011 21:15

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit emëroi kryeministrin e ri të Libisë gjatë mbrëmjes së të hënës.

Burimet zyrtare lajmëruan se do të jetë Abdel Rahim al Kib, me profesion inxhinjer, ai që do të drejtojë ekzekutivin e vendit të paktën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, në një datë ende të pacaktuar.

Lajmi i KKT-së vjen disa ditë pas shpalljes së vendit të “çliruar” nga regjimi i egër diktatorial i Muammar Gaddafit. Zgjedhja e kryeministrit përkoi me të njëjtën ditë në të cilën iu dha fund operacioneve të NATO-s në Libi.

Al Kib ishte i përzgjedhuri midis katër kandidatëve të tjerë. Votimet u kryen në selinë e KKT-së në Tripoli dhe ai mori 26 nga votat e 51 anëtarëve. Pritet që ai të emërojë kabinetin e ri në ditët në vazhdim.

Al Kib zëvendëson në këtë detyrë Mahmoud Jibril, i cili deklaroi se do të dorëhiqej në momentin që vendi do të çlirohej.

Zëdhënësi Jalal el Gallal deklaroi se KKT donte të formonte një qeveri të re të përkohshme pas rënies së kolonel Gaddafi-t, për shkak se anëtarët e parë të tij filluan të vepronin si një grup i improvizuar.

“Ky votim provon se libianët janë në gjendje të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, deklaroi kryetari i KKT-së, Mustafa Abdel Jalil pas procesit. Njoftimi erdhi vetëm disa orë para se misioni i NATO-s në Libi të mbyllet, i parashikuar për në mesnatë, me orën lokale.

Më herët, shefi i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen zhvilloi një vizitë në Tripoli ku tha se NATO ishte krenar për kontributin që dha gjatë protestave popullore. 

Top Channel