FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Qeveria është detyruar të tërhiqet përballë krizës dhe të parashikojë
për vitin e ardhshëm një nga buxhetet me rritjen më të vogël historike.
Top Channel ka mësuar se në draftin e përfunduar, që do të shkojë për miratim, fillimisht në Komitetin e Planifikimit Strategjik, është parashikuar që të ardhurat totale të jenë 353 miliardë lekë ose vetëm 10 miliardë lekë më shumë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti.
Rritja është më pak se 3 për qind, gati në të njëtat përmasa me ato të vitit 2009, kur të ardhurat u goditën nga kriza, rënia e cmimeve, por edhe fushata e ndezur e zgjedhjeve. Por qeveria e ka shtrënguar edhe më shumë buxhetin në krahun e shpenzimeve.
Në 2012, buxheti parashikon 394 miliardë lekë shpenzime ose vetëm 1 për qind më shumë se sa këtë vit. Kjo është rritja më e ulët historike në një dekadë, përjashto vitin 2010, kur qeveria u detyrua të shkurtonte shpenzimet e saj, për të stabilizuar financat publike, që kishin filluar të shthureshin.
Edhe pse drafti përfundimtar ende nuk është bërë publik, mbajtja e rritjes së shpenzimeve me vetëm 1 për qind duket një test i fortë për qeverinë, e cila sërish ka premtuar rritje pagash dhe pensionesh. Ndaj gjasat janë që buxheti i vitit të ardhshëm të godasë sërish investimet publike, zëri që goditet sa herë gjendja financiare e qeverisë përkeqësohet
Top Channel