Turqi, 570 viktimat nga tërmeti

28/10/2011 18:30

Është ngjitur në 570 numri i të vdekurve nga tërmeti që të dielën e kaluar goditi lindjen e Turqisë.

Lajmi bëhet i ditur në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga Mbrojtja Civile Turke, sipas të cilës të plagosurit janë 2555.

Në komunikatë thuhet se që prej së dielës në Turqi janë verifikuar 139 lëkundje të tjera sizmike, gjashtë prej të cilave shumë të fuqishme, nga 5 deri në 6 ballë.

Ndërkohë, nga rrënojat janë nxjerrë 187 persona, mes të cilëve një 13-vjecar që kishte mbetur i bllokuar për 108 orë nën to. Nga ana tjetër është rritur numri i banesave të shembura dhe të pariparueshme.

Premtimi i kryeministrit Erdogan për të shembur të gjitha shtëpitë abuzive sepse nuk kanë qenë anti-sizmike duket se do të shtyhet. Kjo, për shkak të kostos së lartë, të rënduar pikërisht nga tërmeti i ditës së diel.

Ndëshkimi i pronarëve abuzivë ose ndërtimi i banesave të reja është vlerësuar nga ekspertët rreth 450 miliardë dollarë, për të mos thënë dyfishi.

Në Turqi të paktën katër ndërtesa në 10 janë abuzive apo jashtë normave. Në Stamboll, 60 për qind nga 3.5 milionë ndërtesa kanë mbi 20 vjet dhe nuk janë anti-sizmike.

Turqi, të mbijetuarit plaçkisin kamionët e ndihmave

Gjysmë Hëna e Kuqe turke raportoi në orët e para të mëngjesit të së enjtes se 17 kamionë që transportonin ndihma për viktimat e tërmetit u plackitën.

Zyrtarët lokalë në qytetin Van thanë se të mbijetuarit, të zemëruar që nuk merrnin furnizime, bastisën karvanin për ushqim dhe batanije.

Në qytetin më të goditur nga lëkundjet, Ercis, hajdutët ndaluan një kamion që mbante tenda.

Nërkohë dy persona të tjerë u nxorrën të gjallë nga rrënojat ditën e mërkurë, por shpresat janë duke u venitur për të tjerë të mbijetuar.

Mijëra njerëz, të cilët kanë mbetur të pastrehë, i kanë kaluar netët e fundit në kushtet e motit të acartë dhe dëborës.

Turqia ndryshon qëndrim, pranon ndihmat

Turqia më herët pranoi ofertat për ndihmë nga vendet e huaja, për të përballuar pasojat e tërmetit, pasi fillimisht i kishte refuzuar ato.

Zyrtarët turq lajmëruan të mërkurën nëpërmjet agjencisë shtetërorë “Anatolia” se do të ishte e mirëpritur cdo ndihmë në ndërtimin e strehave të përkohshme, për dhjetëra mijëra të pastrehë.

Kryeministri Erdogan, disa orë pas katastrofës, falenderoi të gjitha vendet që i kishin ofruar ndihmë, por siguroi se Turqia mund ta përballonte situatën edhe e vetme.

Është e paqartë se cfarë e bëri Ankaranë që të ndryshonte qëndrim, ndërsa është pranuar edhe oferta e Izraelit, vend me të cilin raportet kanë qenë konfliktuale së fundmi. 

Top Channel