“Raporti i KE? Shumë nota jokaluese”

28/10/2011 19:45

Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, Karsten Ankjer Jensen nëpërmjet një fjalimi të mbajtur në një aktivitet dhe të botuar në gazetën “Tirana Times”, ka analizuar progres-raportin e Bashkimit Europian për Shqipërinë, të cilin e ka krahasuar me një dëftesë vjetore të mbushur me nota jokaluese.

Shkrimi mban titullin “Në nderim të potencialit të Shqipërisë”, të cilin ambasadori danez e nis me këto fjalë:

“E  di se cfarë ndodh kur dikush përpiqet të merret me punët me spec të politikës. Dhe sigurisht që nuk kam asnjë dëshirë që të ngatërrohem (bie në kurth) në luftën e ashpër se cili duhet fajësuar më shumë për arsyen që Shqipëria përsëri u rrëzua për statusin e kandidatit. Nuk kam asnjë dëshirë të shikoj se ajo çka them të kuptohet si pro apo kundër kësaj apo asaj pale të ndarjes politike.

Në dallim nga besimi në disa qarqe, ambasadorët nuk vijnë në Shqipëri që të rreshtohen në ushtritë e së majtës apo së djathtës, të bëhen luftëtarë në luftën midis fraksioneve të politikës. Për ambasadorët e Bashkimit Europian, objektivi ynë i përbashkët është që të bëjmë çfarë mundemi për të ndihmuar që Shqipëria të bëhet gati për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ky është një objektiv historik, i cili qëndron mbi vogëlsirat e politikës së përditshme apo mbi cilindo që mund të jetë në pushtet apo opozitë. Prioriteti ynë, si ambasadorë të Bashkimit Europian, në këtë përpjekje është Shqipëria dhe shqiptarët. Dhe vetëm këta. Mendoj se shumica e shqiptarëve e kuptojnë këtë më së miri”.

Më vjen keq që më duhet të them se debati politik që pasoi raportin, shruan ambasadori Jensen, nuk ndihmon në afrimin e Shqipërisë më pranë statusit të kandidatit.

“Përkundrazi. Përbaltja, lojrat për fajësinë dhe refuzimi për të pranuar përgjegjësinë aty ku përgjegjësia ekziston, përsëri e tregoi hapur, për të gjithë, që niveli i kërkuar i pjekurisë politike nuk është arritur nga klasa politike shqiptare.

Krahasojeni këtë me reagimin në vende të tjera me prespektivë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në Kosovë për shembull, menjëherë u ndërmorrën veprime për të ndjekur problemet e përmendura në raport. Nuk ndodhi kështu në Shqipëri.

Ata të cilët e kanë lexuar raportin e gjatë do ta dinë se ngërçi aktual politik përbën kryesisht një pjesë fare të vogël të çështjeve të shumta shqetësuese të shtruara në dokumentin e Komisionit.

Ju që nuk e keni lexuar raportin, ju nxis që ta lexoni, por duhet ta dini që ai është një analizë e përpiktë, kapitull për kapitull, se si Shqipëria dhe institucionet e saj kanë funksionuar vitin e shkuar.

A ka ndonjë progres në atë sesi policia e ushtron ligjin? Si po funksionojnë shkollat? A ka burime dhe ekspertizë të domosdoshme të pranishme në ministrira? A janë mbajtur premtimet? A ka përparuar shteti i së drejtës? A janë bërë seancat parlamentare më demokratike? A i përmbushin fushat e vecanta të politikës standartet e BE-së? Fatkeqësisht, dëftesa në shumicën e fushave ka nota mbetëse apo thjesht kaluese për progresin në krahasim me vitin e kaluar”, thotë zoti Jensen.

Por cilët janë përgjegjësit për marrjen e kësaj dëftesve me nota jokaluese?

“Raporti i progresit i është dorëzuar qeverisë. I është dorëzuar qeverisë sepse në analizën përfundimtare, qeveria është përgjegjëse për më të shumtën e asaj që është analizuar në raportin e progresit.

Pra raporti, jo për të gjithë por për shumicën e qëllimeve praktike, është një dëftesë që tregon se çfarë ka arritur qeveria gjatë vitit të fundit. Nuk e them këtë për të qenë polemizues apo partizan. Është fakt. Por, që ky fakt i thjeshtë mund të shihet si shumë kontrovers apo partizan në një kontekst shqiptar ndoshta është shumë tregues për gjendjen e ligjërimit politik në Shqipëri.

Duke lexuar raportet e rajonit, është e qartë se Shqipëria nuk po ndjek hapin e më të mirit dhe në disa fusha është si ”njeriu i çuditshëm” i Ballkanit. Nga persperktiva e Bashkimit Europian, populli shqiptar është europian në zemër dhe kulturë. Unë jam danez dhe kur e mendoj se me cfarë janë të bekuar shqiptarët është me të vërtetë, realisht e vështirë të kuptoj pse Shqipëria nuk është në ball të Bashkimit Europian.

Kam dëgjuar politikanët shqiptarë të përmendin Danimarkën, si një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet, por nga perspektiva ime është e vështirë të kuptoj se përse Shqipëria nuk është shumë më përpara. Mendoj se një shpjegim për këtë është se danezët, mendojnë dhe veprojnë si një komb, një popull. Shqiptarët veprojnë si individë, apo si anëtarë familjeje”, nënvizon ambasadori.

Raport-progresi i Komisionit Europian u publikua më 12 tetor dhe konkludonte se, megjithë progresin e bërë, kushtet për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë nuk janë plotësuar ende. 

Top Channel