SHBA, ekonomia rritet me 2,5%

27/10/2011 16:45

Ekonomia amerikane regjistroi një rritje prej 2,5% në tremujorin e tretë të vitit, raportoi të enjten Departamenti Amerikan i Tregëtisë.

Shifrat flasin për një rikuperim të dukshëm të ekonomisë, e cila në tremujorin e dytë shënoi një rritje prej vetëm 1,3%. Dy faktorët kryesorë që favorizuan këtë zhvillim ishin rritja e fuqisë blerëse dhe kushtet e favorshme në tregjet ndërkombëtare.

Si rrjedhojë, numri i papunësisë ka pësuar një rënie të konsiderueshme, me 402 mijë persona që kanë arritur të punësohen gjatë periudhës korrik-gusht. 103 mijë vende të tjera u krijuan vetëm në shtator, më shumë edhe se pritshmëritë më të mira të ekspertëve ekonomikë.

”Shifrat janë më të mirë se ajo që prisnim. Është e qartë që një rritje 2,5% nuk mund të konsiderohet spektakolare, por është më shumë se dyfishi i asaj që kishim në fillimin e vitit, prandaj është e qartë që jemi në rrugën e duhur”, deklaroi David Resler, një prej ekspertëve financiarë të Departamentit.

Megjithatë, në raport shkruhej se konsumatorët vazhdojnë të mbeten nervozë rreth të ardhmes së ekonomisë amerikane. Statistikat e fundit treguan se niveli i besimit të konsumatorëve ka arritur në pikën e tij më të ulët në tetor, që prej marsit 2009, muajit më të rëndë të krizës financiare.

Top Channel