Rritja e popullsisë, paralajmëron OKB

26/10/2011 15:30

Një raport i OKB-së publikoi sfidat që presin njerëzimin, disa ditë përpara se popullsia e planetit të arrijë në shtatë miliardë banorë.

Raporti bën thirrje që shtetet të mos përqendrohen në problemin e rritjes së vazhdueshme, por në përmirësimin e jetesës për të gjithë banorët e tyre. Në të jepen dhe shumë aspekte pozitive, si rritja e jetëgjatësisë dhe rënia e mesatares së fëmijëve për çift, por gjithashtu paralajmërohej rreziku i këtij bumi demografik, në mungesë të marrjes së masave.
Sipas parashikimeve, banori i shtatë miliardtë i Tokës do të lindë në datën 31 tetor, ndërsa deri në fund të shekullit, pritet që planetin ta popullojnë më shumë se 10 miliardë njerëz.

Në vlerësimin për popullsinë e botës, OKB shkruan se “nuk është ende një moment krize, por një moment në të cilin duhet reaguar. Problemi i vërtetë nuk është numri, por aftësia për të shkolluar dhe për t’i dhënë një jetesë të mië të gjithëve. Në mënyrë që bota të mos e vuajë problemin e shtimit të popullisë, duhet të veprojmë menjëherë dhe këtë duhet ta bëjmë tani”.

Ndërsa popullsia vazhdon të shtohet, planeti përballet me sfida të panjohura më parë. Rritja ka qenë tendencë e vazhdueshme në të paktën 200 vitet e fundit, por planeti nuk ka patur kurrë një popullsi kaq të plakur në historinë e tij.

Mesatarja botërore e fëmijëve për çift ka rënë nga gjashtë që ishte në vitin 1950 në 2,5, por ndërsa gjysmë shekulli më parë pritshmëria mesatare e jetës në planet ishte 48 vjeç, sot ajo është rritur me 68.

Top Channel