Kjo grua jeton guximshëm me fatin e saj të paracaktuar. Vuan nga një sëmundje e rëndë dhe ditët në lëngatë përpiqet t’i zbusë me mendime të bukura.

Veronika është një 67-vjeçare nga Tirana, e cila prej tre vitesh është njohur me diagnozën e saj.

“Më bënë një skaner dhe përgjigjen ma dhanë në vend. Më drejtuan në onkologji”, shprehet e moshuara.

Ish-infermiere në profesion Veronika nuk përpiqet aspak t’i manipulojë mendimet e saj për jetën. Ajo e di dhe e pranon natyrshëm fundin e saj të afërt.

“Bëra operacionin ku u hoq masa tumoriale dhe më thanë që është beninj, por në të vërtetë ishte malinj. Isha e qetë sepse mendova që ky ishte fati im. Nuk isha aspak e shqetësuar. Nuk kam qarë kurrë”, tregon Veronika.

Për 67-vjeçaren jeta është një shans i bukur që i është dhënë. Kështu përpiqet ta shohë edhe tani që ditët e saj numërohen mbrapsht. Dhimbjen mundohet ta kthejë në forcë për të tjerët.

“Atë ditë që mësova nga skaneri sëmundjen, i mora të gjithë në telefon duke i dhënë lajmin se isha me kancer. Ia thoja me aq qetësi sa disa menduan se tallesha”, kujton Veronika.

Megjithë optimizmin që mbyt dëshpërimin më të thellë, dhimbjen nuk ka forcë që ia shuan: “Sëmundja po bën të vetën dhe dhimbja sa vjen e shtohet. Dhimbja është e padurueshme dhe nuk ndalon. Vetëm pasi bëj morfinën mund të qetësohem një orë, më pas dhimbja fillon sërish.”

Megjithëse e gozhduar pas shtratit, ka gjithmonë një zgjidhje për tu çliruar nga kufijtë fizikë. Vetëm një shpirt i lirë mund ta gjejë rrugën.

“Lexoj ndonjë revistë apo dëgjoj muzikë operistike”, thotë Veronika.

Në sytë që shprehin dukshëm ledhatimin për jetën mund të mos ketë keqardhje, por në shpirtin e gruas ruhet vetëm një peng që nuk shlyhet dot me kohën e mbetur.

“Më vjen keq vetëm për vajzën që është e vetme, nuk ka motër apo vëlla. Jam e kënaqur nga jeta, kam bërë një jetë të mrekullueshme”, rrëfen Veronika.

Jeta është një pasazh i jashtëzakonshëm për Veronikën. E shkuara është shkruar bukur, tani edhe fundi duhet të jetë i tillë.

“Ka pasur momente që kam menduar gjëra të tmerrshme: si do të bëhet ceremonia mortore, si do të kaloj etj. Dua që të ketë muzikë deri sa të dalë kufoma ime nga shtëpia. Dua edhe shumë lule”, deklaron 67-vjeçarja.

Top Channel