Fqinjët rrezikojnë Shqipërinë

24/10/2011 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar pasi ka paralajmëruar qeverinë shqiptare për rreziqet e shtuara në ekonomi, shpjegon edhe arsyet.

Për herë të parë në një dokument zyrtar të detajuar, ku skanohet ekonomia shqiptare, FMN-ja thote se kriza e Eurozonës mund të ketë pasoja të rrezikshme për vendin.

“Shqipëria ka lidhje të forta me Greqinë dhe Italinë, jo vetëm tregtare, por edhe në tregun e punës dhe sistemin bankar. Këto dy të fundit mund të rezultojnë në pasoja substanciale, ku rreziku më i madh është ai i infektimit të sistemit bankar”, thotë raporti.

Borxhi i pashlyer në banka nga 3 përqind e totalit përpara krizës është gjashtefishuar duke arritur në gati 18 për qind. Fondi thotë se shkaku kryesor i përkeqësimit të kredisë është dobësia e institucioneve dhe sistemit gjyqësor në vend që pengojnë ekzekutimin e garancive. Zgjidhja e kësaj cështjeje duhet të jetë sipas FMN-së një nga prioritetet kyc afatshkurtër të Shqipërisë.

Qeveria e “prangosur” nga borxhi

Në raportin saj te fundit FMN ndalet gjate dhe tek treguesit financiarë te qeverise. FMN thotë se qeveria duhet të vërë nën kontroll financat publike, por jo me shkurtime spontane shpenzimesh, sic ka bërë deri tani, por me një programim më real të buxhetit.

Sipas FMN-së këto shkurtime spontane kanë rritur rrezikun që qeveria të mos shlyejë detyrimet e saj financiare për bizneset që kryejnë punët publike. Borxhi i keq i qeverisë arriti në 0.7 për qind e Prodhimit Kombëtar. FMN thotë se këto detyrime janë bërë një faktor rreziku për krijimin e një zinxhiri borxhesh të pashlyera në ekonomi. Nga ana tjetër, për shkak të mosrimbursimit, qeverisë i janë akumuluar detyrime të mëdha të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që duhet kthyer. Nëse administrata nuk rimburson TVSH-në, FMN thotë se imazhi i Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj, do të cënohet. Ndërsa nëse qeveria do i shlyejë këto detyrime, buxheti do të goditet jo pak.

Në fund FMn vëren se qeveria është kontradiktore në vizionin e saj mbi modelin e ekonomisë, teksa nga njëra anë mbron idenë e qeverisë së vogël me taksa të ulëta, por ndërkohë vitet e kaluar ka rritur fort faturën e pagave dhe pensioneve ndërkohë që mbledhja e taksave është përkeqësuar.

Në këto kushte Fondi i sugjeron qeverisë që rritja e pagave dhe pensioneve të jete sa për të kompensuar rritjen e cmimeve, së dyti të përmirësojë mbledhjen e të ardhurave dhe të rishikojë nivelin e taksës së sheshtë, që sipas saj, duhet të rritet.

Top Channel