65 vjet nga incidenti i Korfuzit

22/10/2011 00:00

Plot 65 vjet më parë dy anije lufte britanike ranë në mina në kanalin e
Korfuzit. Incidenti i datës 22 tetor 1946 shkaktoi vdekjen e 44
marinarëve dhe plagojen e shumë të tjerëve

Cështja përfundoi në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Gjykata fajësoi Shqipërinë për incidentin, ndonëse pranoi faktin se britanikët kishin shkelur sovranitetin e Shqipërisë, duke hyrë në ujrat territoriale të saj.

Qeveria shqiptare refuzoi të njohë vendimin e gjykatës dhe të paguajë dëmshpërblim. Atëhere qeveria britanike kërkoi bllokimin e arit të gjetur në Gjermani, që do t’i jepej Shqipërisë proporcionalisht me shtetet e tjera, të cilave Gjermania u kishte grabitur thesaret e bankave kombëtare. Këtë vit një reportazh i përgatitur nga gazetarja e Top Channel Klodiana Kapo për revistën e përjavshme ‘Exclusive’, sjell dëshmitë e marinarëve shqiptarë që u morën me cminimin e dytë të kanalit, në vitin ’58.

Sipas tyre, minat ishin gjermane, të vendosura nga nazistët pranverën e 44, për të penguar zbarkimin e aleatëve.

Por në të njëjtin material, Paskal Milo mbron tezën se minat ishin jugosllave, të vëna me dijeni të Enver Hoxhës, pas një marrëveshje me Titon. Por pamjet orgjinale të incidentit, të nxjerra nga arkivat dhe të transmetuara ekskluzivisht në emision ‘Shqip’ të Rudina Xhungës, u interpretuan se hidhnin hije dyshime mbi incidentin, nëse ishte i sajuar apo jo.

Ky emision u transmetua pasi Auron Tare deklaroi se në thellësitë e gjirit të Sarandës ishte zbuluar anija e mbytur britanike. Qeveria shqiptare dhe ajo britanike e kanë lënë pas këtë cështje që në vitin 91 dhe diskutimet sot mbeten thjesht në kuadër të historisë. Nga pikëpamja e të drejtës, incidenti i Korfuzit shtroi cështjen e lundrimit të lirë dhe paqësor. Sot, kanali i Korfuzit është i hapur për anijet tregtare, por, ironikisht, mbetet ende e paqartë vija ndarëse mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Një muaj më parë, ministri i Jashtëm grek Stavros Lambrinidhis, gjatë një vizite në Prishtinë, kërkoi që kjo marrëveshje të zbatohet. Por pas vendimit të gjykatës shqiptare, rruga e vetme mbetet rinegocimi i marrëveshjes.

 

Top Channel