Rreziqet e heqjes së imuniteteve

21/10/2011 00:00

Andrea Stefani – Të yshtur nga ndërkombëtarët duket se kampet politike
në Shqipëri po bien dakord për nevojën e heqjes së imunitetit të
deputetëve, gjykatësve dhe zyrtarëve të lartë.

Tashmë diskutohet vetëm për mënyrën se si do të realizohet ky operacion: duke e prekur apo jo Kushtetutën e Republikës. Por na duket se reforma në fjalë, ndërsa ka në themel nevojën urgjente kundër një korrupsioni galopant, neglizhon me verbëri të pafalshme rrezikun që i vjen demokracisë nga një pushtet autokratik dhe i korruptuar. Një verbëri që nuk përjashton as edhe ndërkombëtarët. Dhe nuk do të jetë aspak çudi që rrjedhojë imediate e kësaj reforme, të mos jetë ndëshkimi i korrupsionit, por hetime selektive dhe ndëshkim i opozitës politike nga një pushtet autokratik dhe i korruptuar, në emër të gjoja luftës kundër korrupsionit.

* * *

Rreziqet janë bërë të qarta në një opinion të dhënë nga Komisioni i Venecias që në vitin 2005. Por si faktorët politikë vendas, ashtu edhe ata ndërkombëtarë, po i neglizhojnë këto paralajmërime. Është e njëjta verbëri e manifestuar në momentet e realizimit të amendimeve të Kushtetutës në prill 2008 që, në fakt, e kanë bërë edhe më të rrezikshme heqjen e imuniteteve sot. Thelbi i rrezikut lidhet me pavarësinë e prokurorisë dhe e gjithë pushtetit gjyqësor, sesa sa janë në gjendje ata të veprojnë në frymë të ligjit, të pandikuar nga vullneti i partisë apo liderit në pushtet. Nëse në Shqipëri do të kishim një prokurori dhe gjyqësor të pavarur, heqja e imuniteteve do të paraqiste rreziqe shumë më minimale për një keqpërdorim politik të hetimeve dhe gjykimeve kundër korrupsionit. Aq më i vogël do të ishte ky rrezik, sikur në pushtet të ishte një qeveri me aspirata të qarta liberalo-kushtetuese për shtetin. Por është fakti i hidhur se, në momentet që flasim, Shqipërisë i mungojnë të dyja. Ne kemi një Kryeministër autokrat që nuk ka pushuar për asnjë sekondë agresionin dhe shantazhin ndaj prokurorisë me qëllim, sikundër provohej edhe nga dokumentet e “Wikileaks”, pikërisht për të paralizuar hetimet e saj kundër korrupsionit. Nuk duhen harruar pohimet e ambasadorit amerikan Xhon Uidhers se Berisha ka përshkallëzuar sulmin kundër prokurorisë, pikërisht që të obstruktonte hetimet e tragjedisë së Gërdecit, që duket se implikonin atë vetë, kolegët dhe deri familjarët e tij.

* * *

Por në gjithë këtë odise absurde është ironik fakti se, duke frymëzuar dhe përshëndetur amendimet e Kushtetutës më 21 prill 2008, ndërkombëtarët kanë shtuar mundësinë e keqpërdorimit nga Berisha të heqjes së imuniteteve që propozojnë edhe sot. Përse? Sepse duke i lejuar me Kushtetutë që shumë shpejt të zgjedhë një president dhe po ashtu, një kryeprokuror nga oborri i besnikëve të tij, i kanë mundësuar Berishës të kapë vendimmarrjen e këtyre institucioneve. Dhe pikërisht këtu qëndron potenciali i keqpërdorimit të heqjes së imuniteteve në funksion të luftës për pushtet nga një Kryeministër tashmë i konfirmuar për ambicien e eliminimit edhe “penal” të opozitës. Nuk duhet harruar burgosja e liderit të opozitës, Fatos Nano, në vitet e para të tranzicionit. Një dënim që, sikundër provoi koha, u realizua padrejtësisht nga prokurorë dhe gjykatës në shërbim të Berishës. E vetmja mundësi që të minimizohen rreziqet dhe që heqja e imuniteteve të përdoret për luftën kundër korrupsionit dhe jo të keqpërdoret nga Berisha për gjueti shtrigash “antikorrupsion” mbi kundërshtarët, është të sigurohet, të paktën, pavarësia e Presidentit të Republikës dhe e prokurorisë. Por kjo kërkon që krahas ndryshimit të Kushtetutës për imunitetet, të korrigjohen edhe nenet për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, me qëllim që nesër, ai të mos jetë kurrsesi një kukull e Berishës. Kjo do të pakësonte mundësinë e kapjes dhe keqpërdorimit të gjyqësorit. Po ashtu, kërkohet të korrigjohet edhe neni i Kushtetutës për mandatin e kryeprokurorit që i amenduar në 2008-n, edhe sipas opinionit të Venecias, e ka bërë institucionin e prokurorisë më pak të pavarur. Nga 5 vjet ai mandat duhet të bëhet, të paktën, 9 vjet. Në mënyrë që të mos jetë në vullnetin e Berishës që vitin e ardhshëm, të heqë kryeprokuroren Ina Rama, që dihet se e urren. Por edhe çdo tjetër prokuror që nuk i shërben. Është e tepërt të komentojmë se të tilla masa mbrojtëse janë me vlerë shumë më afatgjatë sesa periudha që po flasim. Do të ishte e pafalshme për ndërkombëtarët, që ndërsa u turren imuniteteve në emër të luftës kundër korrupsionit, të mos mendojnë për ato masa që duhen marrë që kjo reformë antikorrupsion, të mos keqpërdoret nga autokratizmi në pushtet. Prandaj ashtu sikundër kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imuniteteve, duhet të kërkojnë edhe korrigjimin e saj, për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve, pa të cilën lufta kundër korrupsionit nuk mund të mos degjenerojë në një kryqëzatë kundër opozitës politike. Është edhe bashkëfajësia e ndërkombëtarëve në amendimin e Kushtetutës, që i detyron ata për një korrigjim të tillë. Dhe dihet që Berisha do ta kundërshtojë deri në fund korrigjimin e fajit historik që u bë në prill 2008. Por kjo është edhe një provë më shumë, e vendosmërisë së këtij autokrati për ta keqpërdorur “antikorrupsionin” si arsenal shtesë kundër lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.

Gazeta “Shqip”

Top Channel