Jozefina Topalli nuk është anti-elektorale

21/10/2011 00:00

Eni Vasili – Nuk bëj zakon të replikoj me shkrimet e kolegëve në të përditshme pasi
që më ngjan se sa më shumë larushi të ketë në këndvështrimet tona aq më
tepër mundësi ka lexuesi të zgjedhë kë të përqafojë si mendim.

Aq më tepër kur me kolegët takohemi aq shpesh sa replikën mund ta konsumojmë edhe me një gotë çaj në kafenetë ku takohemi rutinisht. Por meqenëse mendoj se replika ime do t’i shërbente pikërisht larushisë së opinioneve, vendosa të mos e konsumoj këtë replikë në telefon apo kafenë me kolegun tim, Çili, por në radhët e këtij komenti.

Në shkrimin e tij në gazetën “Mapo” me titull “Jozefina Topalli është anti-elektorale”, Çili rendit tri arsye se pse Kryetarja e Kuvendit nuk është personi më i zgjedhur jo vetëm për të drejtuar luftën e mazhorancës ndaj Presidentit Topi dhe projektit të tij të ardhshëm politik, por lë të nënkuptuar që asaj nuk mund t’i mvishet një rol qendror politik qoftë ai i Presidentit të ardhshëm siç pëshpëritet.

Sipas Çilit, arsyeja e parë është se duke e synuar ajo vetë postin e Presidentit të ardhshëm ka një konflikt të hapur interesi në këtë lloj lufte. Në fakt është e njohur për këdo që jeton në ambientet politike e të gazetarisë se Jozefina Topalli me Bamir Topin ruajnë një armiqësi tashmë prej shumë kohësh. Qëkur ishin të dy nënkryetarë të partisë më të madhe të djathtë në vend. Rivaliteti i tyre ishte i hapur për të qenë qartazi të rreshtuar menjëherë pas njëshit. Aq sa përflitej se bashkë me luftën e tyre në PD zhvillohej edhe lufta celulave të tyre. Pra 2 rryma, ajo e mbështetësve të Topit dhe ajo e mbështetësve të Topallit. Rryma të cilat ekzistojnë edhe sot brenda PD-së, por që menaxhohen me delikatesë nga kryetari i saj që të mos bjerë në sy si një përplasje brenda partisë. Pra nuk mund të thuash sot se Jozefina Topalli bash kur vendosi(ajo vetë nuk e ka deklaruar kurrë një gjë të tillë) të jetë ajo presidentja e ardhshme nisi këtë betejë me Bamir Topin. Në çdo intervistë kur e kanë pyetur ajo ka rrumbullakosur fjalët pa e fshehur kurrë plotësisht kontradiktën e fortë që i ndan. Shpërthimi i tyre nuk çudit askënd, as marrëdhënia e vështirë që Presidenti ka pasur në mënyrë të veçantë me Parlamentin ku dekretet e tij janë hedhur poshtë si kurrë më parë. Do të jetë apo jo kandidate për presidente Jozefina Topalli kjo as i shton as i heq gjë legjitimitetit të betejës së dy armiqve të vjetër.

Sipas Çilit, arsyeja e dytë është se Jozefina Topalli është një politikane kontekstuale: i brendashkruhet një politike lokale që lidhet me Shkodrën, Veriun, ish të përndjekurit, katolikët apo si një politikane me prejardhje nga një familje e madhe shkodrane me traditë. Brenda këtij konteksti, shkruan Çili, ajo qëndron normalisht. Në momentin kur ajo do të dalë në format qendror, për një rol qendror apo universal në politikën shqiptare, këtu ajo stonon.

Por a nuk është “mot a mot” i profilizuar kështu edhe Bamir Topi?

Një politikan përfaqësues i tironësve të vjetër, ish-pronarëve, ish të persekutuarve. Askush nuk pati apo ka konteste për profilin e tij. Pse pikërisht identiteti i fortë rajonal apo shtresor nuk është një vlerë, por një problem në politikën shqiptare? Sa deputetë të pa zë që nuk përfaqësojnë asgjë në Parlamenti shqiptar ka? A janë ata më përfaqësues dhe elektoralë se Jozefina Topalli? Politika është vendore në thelb. Çdo deputet vjen si një përfaqësim pakicash, shtrese, zone, interesi etj. Barak Obama është shembulli excellent se si hyri në politikë si përfaqësues pakicash dhe mori rolin më universal politik që ekziston sot në botë. Hyri si një afro amerikan, përfaqësues i njerëzve të thjeshtë, por kjo nuk e bën më pak universal botëkuptimin dhe vizionin e tij si politikan.

Arsyeja e tretë sipas Çilit janë arritjet elektorale të Kryetares së Kuvendit pikërisht në zonat që ajo mbulon dhe humbja e një deputeti në Shkodër në zgjedhjet e fundit. Në fakt, po t’u referohemi shifrave në 2009, Qarku i Shkodrës ka pasur avantazhin më të thellë elektoral aq sa u quajt një rezultat historik. Asnjë qark tjetër nuk pati këtë diferencë. Koalicioni i djathtë Aleanca e Ndryshimit mori 67 656 vota ndërsa koalicioni i majtë Bashkimi për Ndryshim mori 40 964 vota. Shtatë deputetë të djathtë e katër të majtë. Askush nuk ka dyshime që Jozefina Topalli është një nga politikanët më të kuotuar në Shqipëri. Përfaqëson një nga rajonet më të mëdha, me epiqendrën e vet shumë të veçantë Shkodrën. Përfaqëson një familje me tradita, një shtresë së cilës i mbetemi borxh të gjithë. Përfaqëson një politikane të fortë. Një grua për disa të sertë, shpesh edhe të kontestuar për ashpërsinë me të cilën drejton seancat e Parlamentit, shpeshherë për të tjerë edhe e padrejtë me kolegët e opozitës. Por le t’i japim Cezarit atë që është e tij. Jozefina Topalli, edhe pse asaj nuk i pëlqen t’ia përmendësh, përfaqëson edhe një grua në krye të 117 burrave. E nuk është aspak e thjeshtë të menaxhosh zërat, inatin, sharjet e shpeshherë edhe fyerjet që nga qelqi i televizorit në shtëpi ne nuk i perceptojmë. Në fund ajo përfaqëson edhe një nënë që sigurisht ka bërë sakrificat e saj për të pasur një karrierë kaq të qëndrueshme në një skenë politike kaq mashkullore dhe agresive. Ndaj nuk gjej sot asnjë arsye që Kryetarja aktuale e Kuvendit të Shqipërisë, me një rol më se qendror në skenën politike shqiptare jo vetëm të moskapitalizojë investimin e saj politik, por të jetë edhe një vlerë e shtuar për forcën politike që ajo përfaqëson. Si një grua me një personalitet shumë më të fortë se disa burra bashkë një gjë është e sigurt: Jozefina Topalli do jetë gjithmonë një politikane që do të diskutohet shumë, do të komentohet po kaq, disa do ta duan shumë e disa do ta urrejnë po aq, disa do ta çmojnë e të tjerë do ta kenë zili. Por a nuk ndodh kjo nga pak me të gjithë njerëzit që dallohen?

Gazeta “Shqip”

Top Channel