Clinton, në Kabul për pajtimin me talebanët

20/10/2011 00:00

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ndodhet në Afganistan
për të inkurajuar presidentin Karzai që të vazhdojë përpjekjet për
pajtimin me talebanët.

Zoti Karzai ka shprehur irritimin e tij ndaj procesit, pas vrasjes së disa figurave kyce të qeverisë afgane.

Autoritetet amerikane deklarojnë se zonja Clinton dëshiron gjithashtu të bindë afganët se Uashingtoni është i angazhuar për një marrëdhënie afatgjatë me vendin e tyre.

SHBA po planifikojnë të tërheqin trupat dhe t’ia dorëzojnë përgjegjësinë për sigurinë trupave vendase.

“Zonja Clinton dëshiron të sinjalizojë mbështetjen amerikane për një Afganistan të sigurtë dhe të qëndrueshëm”, ka deklaruar një zyrtar amerikan, pjesë e stafit që po viziton Kabulin.

Vizita e shefes së diplomacisë amerikane ishte mbajtur e fshehtë derisa ajo mbërriti mëngjesin e së entjes në kryeqytetin afgan.

“Ajo dëshiron të theksojë se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për pajtimin afgan dhe se do të mbështesin presidentin Karzai në përpjekjet e tij, duke pranuar vështirësitë ku ka hyrë procesi për shkak të vrasjes së negociatorit të qeverisë afgane”, ka shtuar zyrtari.

Burhanuddin Rabbani kishte qenë dikur president i Afganistanit dhe së fundmi i ishte caktuar detyra për të negociuar pajtimin me talebanët.


Ai u vra muajin e kaluar
nga një atentator vetëvrasës që ishte paraqitur në shtëpinë e tij si korrier i një mesazhi të talebanëve.

Vrasja tensionoi marrëdhëniet mes Afganistanit dhe Pakistanit, pasi vrasësi dyshohet se ishte një shtetas pakistanez.

Zonja Clinton është takuar me përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile në ambasadën amerikane në Kabul, ndërkohë që takimi me presidentin Karzai është parashikuar më vonë.

Ajo siguroi aktivistet për të drejtat e grave, arsimtarët dhe disa politikanë se shqetësimet e tyre po ndiqen me vëmendje në rangjet më të larta të qeverisë amerikane.

“Jam këtu për t’i parë gjërat nga afër. Unë dua të dëgjoj atë që mendon populli afgan për të ardhmen e tij”, është shprehur Clinton.

Top Channel