Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, ka dërguar një letër për serbët e Kosovës, ku i fton ata që të shmangin dhunën.
Kjo letër, e kthyer në një debat në mediat serbe ditët e fundit, nuk ka qenë publike dhe u është dërguar serbëve të Kosovës në mënyrë private.
Megjithatë, sipas disa burimeve, Tadic ka ftuar serbët që të gjendet një zgjidhje me KFOR-in në mënyrë që të kalohet problemi dhe zonat ku janë barrikadat të bëhen të qarkullueshme.
Sipas letrës së presidentit serb, duhet lejuar që KFOR-i të qarkullojë në veri pasi Serbia qëndron prapa tyre politikisht dhe financiarisht.
Qëndroj fuqishëm pranë serbëve që protestojnë, ka thënë ai, ndonëse vetë serbët nuk kanë konfirmuar të kenë marrë një porosi të tillë.
Partitë serbe kanë ftuar KFOR-in që të mos përdorë dhunë në veri, pasi sipas tyre, serbët nuk duan dhunë por paqe dhe që të jetojnë në shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, në bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të serbëve në veri dhe përfaqësuesve të KFOR-it dhe EULEX-it nuk u arrit dot një marrëveshje për heqjen e barrikadave.
Takimi që u mbajt të mërkurën dështoi për shkak të kërkesave të serbëve me të cilat duket se nuk u pajtuan përfaqësuesit e KFOR-it. Serbët u shprehën të gatshëm t’i largojnë barrikadat, por me kusht që shfrytëzimi i rrugëve të bëhet në mënyrë selektive.
Top Channel