Bosnje e Hercegovina ka vendosur të njohë vulat doganore të Republikës së Kosovës.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave vendimi i është komunikuar Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas burimeve, me këtë vendim Bosnje e Hercegovina pret që pala kosovare të shfuqizojë masat e reciprocitetit për mallrat që hyjnë në vend nga BeH.

Burimet shtojnë më tej se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ndërmarrë shumë shpejt hapat e nevojshëm për t’iu përgjigjur këtij vendimi, në përputhje me rregullat e përcaktuar nga marrëveshja CEFTA.

Masat e reciprocitetit qeveria e Kosovës i vendosi pasi Bosnja dhe Serbia nuk pranonin hyrjen e mallrave kosovare me vulën “Republika e Kosovës”.

Masa në fjalë u shfuqizua me Serbinë, me të cilën përdoren vulat “Dogana e Kosovës”. Mes dy vendeve qarkullojnë kamionë me mallra prej muajit shtator, por më shumë nga aksi Serbi-Kosovë sesa Kosovë-Serbi.

Top Channel