Topi nderohet me “Medaljen e Korpusit të Paqes”

18/10/2011 00:00

Presidenti i Republikës Bamir Topi priti të martën zëvendësdrejtoreshën e Korpusit të Paqes, Keri Hesler-Reidilit. Ajo
shoqërohej nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë,
Aleksandër Arvizu dhe Drejtori i Korpusit të Paqes në Shqipëri, Hill
Denham.

Zëvendësdrejtoresha e Korpusit të Paqes i dha Presidentit Topi “Medaljen e Korpusit të Paqes”, duke i shprehur “mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe bashkëpunimin që i ka dhënë organizatës vullnetare të drejtuar prej saj”.

Presidenti Topi u shpreh se ky vlerësim, më shumë se për individin, është për Institucionin. “Institucioni është për të gjithë qytetarët’, tha Presidenti.”Duke më vlerësuar mua,- vijoi kreu i shtetit,- ju keni vlerësuar të gjithë shqiptarët”. Presidenti Topi e vlerësoi veprimtarinë e Korpusit të Paqes në vendin tonë si një dëshmi e mbështetjes dhe e ndihmesës së qeverisë dhe popullit amerikan për qytetarët shqiptarë.

Korpusi i Paqes vepron në Shqipëri që prej vitit 1991 dhe tani numëron rreth 500 vullnetarë. Ky është një vit i rëndësishëm për të, sepse shënon 50-vjetorin e krijimit.

Top Channel