Meksikë, ushtria liron 61 pengje

17/10/2011 15:50

Ushtria meksikane liroi 61 pengje pranë kufirit me SHBA-në, gjatë një aksioni të gjerë ndaj një karteli të drogës.

Burrat ishin lidhur dhe mbaheshin nën kërcënimin e armëve në shtëpi, e cila ruhej prej tre eksponentëve të krimit të organizuar, në kohën e ndërhyrjes së trupave ushtarake, në Piedras Negras të Koahuilës.

Shumica e pengjeve ishin rrëmbyer nga zona të ndryshme të Meksikës dhe ishin detyruar të punonin për kartelet, për të cilat është e zakonshme që të shfrytëzojnë sekuestrimet e personit si mënyrë rekrutimi.

Në të njëjtin operacion u zbuluan edhe gjashtë tonë marjuanë, ndërsa nuk është bërë ende e ditur se cili ishte karteli i goditur. Janë disa organizatat mafioze që operojnë në krahinën e Koahilës, përfshi kartelet “Zeta” dhe “Gjiri”, të cilët janë përfshirë në një betejë të përgjakshme, për të kontrolluar rrugët e trafikimit në SHBA.

Një vit më parë, në të njëjtën zonë, u zbuluan trupat e pajetë të 72 personave të ekzekutuar nga Zeta, pasi kishin refuzuar të punonin për kartelin. Organizata konsiderohet përgjegjëse edhe për vdekjen e 100 personave, trupat e të cilëve u zbuluan disa javë më parë në një varrezë masive në veriun e Meksikës.

Më shumë se 40 mijë vetë kanë humbur jetën nga dhuna e lidhur me kartelet e drogës në pesë vitet e fundit, që kur presidenti Felipe Kalderon vendosi të përdorte trupat ushtarake për të goditur klanet mafioze.

Top Channel