Obama-Sarkozy: Izrael-Palestinë në bisedime

11/10/2011 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama dhe ai francez Nicolas Sarkozy janë
shprehur dakord mbi nevojën e negociatave Izrael-Palestinë.

“Duhet që palët e përfshira në konfliktin në Lindjen e Mesme të kthehen sa më parë në tryezën e bisedimeve”, kanë deklaruar njëzëri dy liderët.

Lajmin e ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë përmes një komunikate për shtyp, pas një bisede telefonike të zhvilluar mes Obama dhe Sarkozy.

Reagimet e dy liderëve vijnë pak kohë pasi kreu i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas dorëzoi në OKB kërkesën për njohjen e shtetit palestinez.

Shtetet e Bashkuara deklaruan se njohja e shtetit palestinez duhet të vijë si rrjedhojë e negociatave me Izraelin dhe jo përmes nismave të njëanshme.

Edhe negociatorët e Kuartetit për Lindjen e Mesme i bënë thirrje palëve që të rifillojnë bisedimet për paqen brenda një muaji, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje brenda vitit 2012.

Nga ana e tij Izraeli e ka pranuar apelin e ndërkombëtarëve për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve dhe i kërkoi presidentit Abbas që të bëjë të njëjtën gjë.

Por pala palestineze insiston në rrugën e saj. Për këtë arsye, në fillim të muajit ajo bëri kërkesë për anëtarësim të plotë në Agjencinë e OKB-së për Trashëgiminë Kulturore.


Bordi i agjencisë
në fjalë, e njohur ndryshe si UNESCO, pranoi të shqyrtojë kërkesën e Autoritetit Palestinez.

Kërkesa e dorëzuar nga presidenti Abbas ka gjasa që të dështojë, pasi vetë presidenti amerikan Barack Obama paralajmëroi vendosjen e vetos në Këshillin e Sigurimit.

Top Channel