23 vjet burg për Ilir Pajën

10/10/2011 20:35

Gjykata e Krimeve të Rënda e ka shpallur sërish fajtor Ilir Pajën, i njohur ndryshe në mediat italiane si mjeshtër i arratisjeve.

Edhe pse Gjykata e Lartë nuk është shprehur ende për vendimin e parë që Paja ka marrë në apelin e Krimeve të Rënda me gjashtë vjet e tetë muaj burgim, për një ngjarje të ndodhur në Tiranë, shkalla e parë rëndon sërish pozitën e të pandehurit nga Kucova duke dhënë verdiktin e saj me 23 vjet heqje lirie të tjera dhe 3 milionë lekë gjobë.

Ky dënim u dha për llogari të hetimeve që Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu për një seri ngjarjesh të ndodhura në Itali për të cilat akuzohet Paja.

Ndaj Pajës u krye hetimi gjyqësor për vrasje me dashje në Itali, vrasje me dashje e mbetur në tentativë, rrëmbim dhe mbajtje peng personi dhe marrëdhënie seksuale me dhunë.

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Paja u arrestua në Itali për llogari të shtetit gjerman, ku akuzohej për vrasje.

Por pas dy arratisjesh të bujshme në këtë shtet, njëra me carcaf dhe tjetra nga një ambulancë, rezulton e provuar se në 2006-ën ka kryer një seri veprash të tjera penale së bashku me një shtetas shqiptar.

Pas një grindjeje me disa shtetas nga Ekuadori, Paja dhe Gentian Makshia qëlluan në drejtim të dy personave duke lënë të vrarë Gonzales Ramires dhe plagosur një tjetër.

Pas kësaj ngjarjeje, dy shqiptarët u larguan nga vendngjarja duke rrëmbyer një 19-vjecare rumune, të cilën e mbajtën në një banesë ku strehoheshin dhe kryen marrëdhënie seksuale me dhunë.

Më tej, thotë prokuroria, Paja dhe bashkëpunëtori i tij udhëtuan në dalje të Novarës dhe pasi kontaktuan me një grup endacakësh kërkuan ndërrimin e automjetit të tyre.

Ilir Paja aktualisht po vuan dënimin për ngjarjen e 2008-ës, kur një oficer policie mbeti i plagosur gjatë një aksioni për kapjen e tij në vendin e njohur si “Farmacia 10”, akuzë e cila fillimisht ishte për vrasje e mbetur në tentativë, por që gjatë proceseve u ndryshua në plagosje të rëndë.

Top Channel