Itali, sekuestrohen 560 kg kokainë

07/10/2011 16:05

Policia italiane ka sekuestruar në portin Xhoia Tauro, në Rajonin e Kalabrisë, një sasi lënde narkotike prej 560 kilogramësh kokainë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave droga është e pastër në nivelin maksimal dhe në treg do të kapte një vlerë prej 135 milionë eurosh.

Sipas burimeve, operacioni u krye nga agjentët e Guardia di Finanza, të cilët kanë arrestuar edhe një person të dyshuar për menaxhimin e trafikut.

Burimet nënvizojnë se sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike rezulton e porositur nga grupe kriminale të Ndrangheta-s kalabreze.

Burimet saktësojnë më tej se që nga muaji mars në portin Xhoia Tauro janë sekuestruar pothuajse një mijë kilogramë kokainë.

Ndrangheta kalabreze konsiderohet nga hetuesit si një superfuqi kriminale, në gjendje të trafikojë rreth 400 tonelata kokainë në vit dhe të depërtojë fare lehtë brenda institucioneve.

Organizata mafioze me bazë në rajonin më të varfër të Evropës është partnerja kryesore e karteleve kolumbiane të narkotikëve.

Nga ky trafik dhe aktivitete të tjera kriminale, si zhvatja e bizneseve, trukimi i tenderave dhe kontrolli i pronave të tundshme, organizata arrin të fitojë rreth 44 miliardë euro në vit.

Top Channel