“NATO, integrimi kërkon dhjetë vjet”

06/10/2011 19:45

Gjatë Ministerialit të Mbrojtjes, që u zhvillua në selinë e NATO-s në Bruksel, Ministri Arben Imami u pyet mbi kritikat e qershorit nga Komanda e Transformimit të Aleancës mbi vendin e sapoantarësuar.

Sipas raportit të publikuar në media, Shqiperia nuk është përputhet me standartet e NATO-s në strategjinë kombëtare, sigurinë ushtarake, në menaxhimin e burimeve njerëzore nga edukimi, trajnimi dhe emërimi i personelit, etj.

“Sot, pas 2 vjetësh, dimë më shumë se c’dinim para dy vjetesh. Duhet t’a themi këtë që në fillim dhe së dyti, është themelore të shpjegojme se ne jemi në një proces integrimi qe nuk zgjat një vit, nuk është 10-mujor, por është dhjetëvjeçar. Shqipëria, Forcat e Armatosura kanë ecur në mënyrë të shkëlqyer. Mund të them se në 2013-n, ne do të lëmë një forcë të armatosur që nuk ka lidhje me të shkuarën, por do merret veç me të ardhmen. Përsa i përket diagnostikimit të perbashkët të komandos së doktrinës dhe forcave tona të armatosura, ato i kemi parë, bërë prej kohesh dhe puna ka nisur e është në rrugën e duhur. Përsa i takon problemeve të tjera, ato janë probleme komplekse të reformave, por e rëndësishme është që ne kemi filluar që në fillim të këtij viti të shohim kosto-efiçencën dhe e kam cilësuar disa herë këtë edhe për taksapaguesit, që qytetarët të dinë se ku shkon paraja e tyre.”

Përpara samitit të pranveres, që do të mbahet në Çikago, Ministrat e Mbrojtjes së Aleancës diskutuan për konceptin e ri “Smart Defense”, i cili synon rritjen e efikasitetit të shpenzimeve të NATO-s. Ndërsa vendet e Aleancës përballen me pasojat e krizës ekonomike botërore dhe synojnë reduktimin e trupave në misionet paqeruajtese,  Shqipëria ka 3-fishuar praninë e saj. Vetëm plani i modernizimit i kushton buxhetit 30 milionë euro çdo vit.

“Ne kemi ngritur kapacitete që nuk i kemi pasur ndonjëherë. Ne kemi forca speciale që për herë të parë kanë shkuar në detyra e misione luftimi. Ne kemi çuar një ekip OMLT, pra një ekip që ka marrë përsipër të ngrejë në këmbë një batalion të forcave afgane të sigurisë. Të gjitha këto janë reforma të rendësishme, të mëdha, që rrisin kapacitetet dhe kjo punë do të vazhdojë kështu, sepse pa i kryer këto reforma do të ishte e pamundur që të kishim një integrim të plotë, ndërveprueshmëri mes forcave tona të armatosura me forcat e shteteve te tjera aleate dhe Aleancen në përgjithësi”.

Një tjetër temë që u diskutua në këtë takim të Ministrave të Mbrojtjes ishin zhvillimet në Libi. “E rëndësishme është që operacioni i Libisë u shqyrtua me thellësi, u nxorrën mësimet e duhura, mësime që na çojne drejt ngritjes së kapaciteteve të përbashkëta. Ky është një mesazh i rëndesishëm i këtij ministeriali”, shprehet Imami.

Për problemin e asgjesimit të municioneve te vjetra, Ministri deklaroi se deri në vitin 2013, Shqiperia do të jetë pastruar nga çdo material i tepërt.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel