Mburoja, Rusia: Në rrezik raportet me SHBA

06/10/2011 00:00

Mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë rihapur debatet lidhur me ngritjen e mburojës anti-raketë në Evropë.

“Ne mund të ndërpresim bashkëpunimin me SHBA mbi projektin e mburojës anti-raketë, nëse Uashingtoni vazhdon të marrë vendime pa një diskutim kolektiv”, ka deklaruar qeveria ruse.

Deklarata e Kremlinit i referohet marrëveshjes SHBA-Spanjë për vendosjen e katër anijeve me raketa anti-ajrore në ujërat spanjolle.

“Nëse një gjë e tillë do të vazhdojë, atëherë mundësia e krijuar në samitin NATO-Rusi në Lisbonë, për ta kthyer cështjen e mburojës nga një zonë konflikti në një zonë bashkëpunimi, mund të venitet”, thuhet në një komunikatë.

Ideja për ngritjen e mburojës anti-raketë u propozua nga administrata e George W. Bush dhe në atë kohë shkaktoi reagimin negativ të Rusisë së drejtuar nga presidenti Vladimir Putin.

Në vitet e fundit, gjatë drejtimit të shtetit nga Dmitri Medvedev, mes dy superfuqive pati më shumë fleksibilitet, por me rikthimin e Putin në kolltukun e Kremlinit gjërat mund të ndryshojnë.

Top Channel