NATO, SHBA: Jo më financime aleatëve

05/10/2011 18:35

Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka paralajmëruar aleatët evropianë të NATO-s se SHBA nuk do të mbulojnë më shpenzimet e tyre ushtarake.

Leon Panetta tha se Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara tek shkurtimi me 450 miliardë dollarë i buxhetit të mbrojtjes në dekadën e ardhshme.

Ai u bëri thirrje partnerëve evropianë që të mos përsërisin gabimet e së kaluarës, duke “gërryer” forcat e tyre përmes fushatave ushtarake.

Zoti Panetta foli në Bruksel përpara bisedimeve me homologët e vendeve anëtare të NATO-s.

Ai po zhvillon një tur që e ka cuar në Izrael, Egjipt dhe tani në Evropë, për herë të parë që nga emërimi si sekretar i Mbrojtjes në korrik.

Ish-shefi i CIA-s e bëri paralajmërimin e tij në një kohë kur masat kundër krizës financiare po diskutohen në të dyja anët e Atlantikut.

Ai tha se konfliktet në Libi dhe Afganistan kanë nxjerrë në pah mangësitë në kapacitetet e Aleancës, mes të cilave ato për karburantin e avionëve të telekomanduar, për karburantin e aeroplanmbajtëseve, municionet dhe transportet strategjike.

Panetta u bëri thirrje aleatëve që të bashkëpunojnë më ngushtë dhe të bashkojnë burimet e tyre financiare në mënyrë që këto boshllëqe të mbushen.

“Shumë vende mund të mendojnë se buxheti i mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara është aq i madh sa mund të mbulojë edhe mungesat e Aleancës, por mos e bëni këtë gabim. Ne po përballemi me shkurtime dramatike që do të kenë ndikime serioze tek kapacitetet e NATO-s”, tha Panetta.

Top Channel