Buxheti 2012, shpresë për parashikim realist

03/10/2011 08:40

Problemi më i madh i Shqipërisë gjatë katër viteve të fundit ka qenë fakti që qeveria ka programuar gjithmonë një buxhet të fryrë përtej logjikës formale në të ardhura dhe shpenzime dhe është detyruar në mes dhe në fund të vitit të kryejë rishikime të rënda për t’i shpëtuar falimentit.

Por të dhëna informale nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se ndoshta kësaj praktike të rrezikshme do t’i shpëtojë buxheti i vitit 2012, i cili po përgatitet aktualisht. Burime jozyrtare thonë për “Shqip” se ekspertët po bëjnë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të programuar një normë të logjikshme të rritjes së të ardhurave dhe shpenzimeve, gjë që do të pasqyrohet në shkurtimin e fondeve për ndërtim rrugësh, pavarësisht se projekti shumë i kushtueshëm për autostradën Tiranë-Elbasan, i nisur pa siguruar ende paratë, do të vijojë të financohet.

Qeveria shqiptare programoi një buxhet me të ardhura prej 362 miliardë lekësh dhe shpenzime prej 409 miliardë lekësh për vitin 2011, por u detyrua të ulë planin e të ardhurave në 344 miliardë lekë dhe shpenzimet në 390 miliardë në korrik, kur u pa se gjërat nuk po ecnin aq mirë.

Në vitin 2010, qeveria pati planifikuar gjithashtu të ardhura prej 361 miliardë lekësh, të cilat në realitet qenë 36 miliardë lekë më pak, ndërsa shpenzimet i pati parashikuar në 411 miliardë dhe u detyrua t’i shkurtojë me 48 miliardë deri në fund të vitit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë kërkuar me ngulm gjatë muajve të fundit që qeveria të përgatisë një buxhet realist për vitin 2012, si një masë konkrete kundër krizës ekonomike aktuale.

“Rimëkëmbja ekonomike në Europë ka qenë më e dobët sesa pritej dy vjet më parë, kur kriza përfundoi. Shqipëria ndikohet, sepse partneret e saj kryesore, Greqia dhe Italia, po përballen me një krizë më të rëndë nga të gjithë. Po kështu tani që ne flasim, kemi dhe problemin e borxhit në Shtetet e Bashkuara. Pra morali është se jetojmë në një mjedis tjetër, në një botë tjetër. Me pasiguri më të mëdha edhe për Shqipërinë, për shkak të faktorëve të jashtëm.

Dhe ky mjedis i ri kërkon një qasje tjetër ndaj realitetit ekonomik, një qasje ndryshe nga ato që para pak kohësh mund të quheshin të arsyeshme. Në këto kushte do të ishte e kujdesshme të përdoreshin vlerësime më konservative për rritjen ekonomike dhe parashikimin e të ardhurave”, deklaroi pak kohë më parë drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenia Lvovski.

Ndërkombëtarët janë të bindur se ekspertët e Ministrisë së Financave janë të aftë dhe në gjendje për të kryer parashikime makroekonomike realiste. Por gjatë viteve të shkuara, problemet me buxhetin kanë qenë të karakterit politik dhe joteknik.

Top Channel