Gjirokaster, panairi i artizaneve

01/10/2011 00:00

Në Gjirokastër filloi Panairi i Trashëgimisë Kulturore dhe Artizanatit
“Gjirokastra 2011”. Ky është viti i pestë që panairi zhvillohet në
qytetit të gurtë në fund të shtatorit, në ditët e Trashëgimisë Kulturore
dhe është tashmë  ngjarja më e rëndësishme në Shqipëri kushtuar
artizanatit.

Panairi zhvillohet drejtpërdrejt në rrugët e kalldrëmta të Pazarit, duke i rikthyer atij pamjen që ka pasur në origjinën e tij. Për tre ditë rresht  rrugët  e kalldrëmta mbushen me zejtarë dhe organizata që paraqesin prodhime të ndryshme të punuara në gur, bakër, argjend, hekur të rrahur, dru, tekstil, kashtë, kostume popullore me prodhime ushqimore dhe bujqësore etj, të cilat tregtohen për qindra vizitorë e turistë.

Stenda të veçanta  kushtohen aspekteve të ndryshme të trashëgimisë kulturore dhe përpjekjeve nga organizata të ndryshme për përdorimin e saj si burim për zhvillimin e turizmit kulturor. Një pavijon i veçantë pasqyron projektin për krijimin e një muzeu në kalanë e Gjirokastrës, kushtuar traditave të qytetit dhe rrethinave të tij, projekt ky që është në fazën e finalizimit të tij në prag të viti të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.  

Ne Panairin e sivjetshëm përfaqësohen afro 120 zejtarë dhe përfaqësues nga organizata që punojnë për zhvillimin e artizanatit dhe trashëgimisë nga Shkodra, Lezha, Tirana, Kruja, Berati, Korça, Përmeti, Kuçova, Saranda etj. Marrin pjesë edhe grupe artizanësh nga Kosova dhe Maqedonia.

Top Channel