Kërkim ndërkombëtar për Elezajn

29/09/2011 20:10

Pas kontrolleve disa javore të policisë brenda vendit, veçanërisht në Tiranë dhe verifikimeve të informacioneve se biznesmeni i arratisur Hajri Elezi lëviz i qetë në kryeqytet, policia shqiptare është dorëzuar duke kthyer përgjigje se ai nuk gjendet brenda territorit shqiptar.

Dhe siç ndodh rëndom topi ka kaluar sërish në fushën e prokurorisë të cilët nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të urdhërojë shpalljen në kërkim ndërkombëtar të bosit të akuzuar për çështjen e skandalit të kontrabandës me naftën Vergine.

Ky informacion konfirmohet në rrugë jo zyrtare, por të besueshme të cilat thanë se për disa javë dyshimet e hetuesve ishin për fshehjen brenda vendit të të arratisurit Elezi në atë kohë në arrest-shtëpie, dyshime këto që i referoheshin sistemit Tims në pikat kufitare nga ku rezulton se ai nuk kishte dalë jashtë territorit shqiptar.

Gjithashtu këto dyshime thanë burimet lidhen edhe me informacione të shumta për adresën e biznesmenit mbi vendqendrimet e tij në kryeqytet.

Tashmë që nuk gjendet asnjë gjurmë e drejtuesit të kompanisë EUROIL, hetuesit janë detyruar t’i hedhin sytë dhe të presin nga policitë e huaja.

Por ndërkohë për hetimet mbi skandalin e naftës Vergine janë në kërkim edhe dy persona të tjerë, gjetja e të cilëve gati shtatë muaj më parë nuk u bë i mundur gjatë arrestimit të 13 biznesmenëve të përfshirë në këtë skandal.

Për këtë çështje, e nisur kryesisht pas deklaratave publike të ish ministrit Dritan Prifti aktualisht ndodhet në qeli vetëm biznesmeni Iliaz Fisheku.

Edhe për Hajri Elezin, gjykata vendosi arrest shtëpie, por gjykata e apelit me vendimin e 28 korrikut kërkoi rikthimin e tij në arrest me burg, vendim i cili nuk u ekzekutua pasi biznesmeni ishte larguar në drejtim të paditur.

Top Channel