Endri Xhafo – Teksa taksia la “Quai Antole France” dhe u lëshua turravrap në rrugën
ekspres buzë Senës, mendova se ishim vonë. Të ngarkuar me kamera dhe
stativ, e kishim pasur të pamundur të merrnim metronë. Por në Paris
kohën mund ta llogaritësh disi vetëm po të udhëtosh me metro. Por edhe
atëherë duhet të mbash parasysh oraret e pikut të lëvizjes. Jeta është
kaq frenetike, sa duket sikur tërë dita të parakalon si në një film me
xhiro të shpejta.

Kur mbërritëm në godinën e “Radio France”, nuk kishte më kohë për kafe. Inva ishte ngjitur lart në studio dhe poshtë në holl kishte lënë dikë për të na pritur. Helen Kudrej, një vajzë e imët, me flokë të shkurtër, të shpëlarë, por shumë e sjellshme, punon si atashe shtypi në Operën Kombëtare të Parisit. Ne e kishim takuar për herë të parë para dy vjetësh, në çeljen e sezonit operistik 2009-2010. Inva kishte luajtur asokohe rolin e Mirej, në operën me të njëjtin titull të Sharl Gunosë. Ishte në atë kohë që njohëm edhe vetë Invën. Dy vjet më pas, ja ku ishim sërish në Paris, me ftesë të saj. Tanimë ajo na konsideronte “miq”.

Ndërkohë që unë po justifikohesha për vonesën, trafikun e tmerrshëm në “Saint-Michel”, radarët automatikë në rrugët e shpejta buzë Senës, prej të cilëve trembeshin tani edhe taksitë, Erion Muharremi hapte kamerën. Kur i kisha thënë Invës në telefon: “po, mund të vij”, ajo ma kishte hedhur fjalën si nga larg, nëse mund të merrja me vete një kameraman “të mirë”. Në fakt, në Top Channel ka plot kameramanë “të mirë”, por me Erionin ishte një çështje besimi edhe vetjak. Erioni la në mes një film për Skënderbeun dhe erdhi.

Në studion e Radio “France Musique”, një nga kanalet e radios publike franceze, Inva ishte ftuar të fliste për karrierën e saj dhe për operën “Faust”, në të cilën ajo do të luajë deri më datë 25 tetor rolin e Margeritës. Ndërkohë që Erioni gjurmonte emocionet në vështrimin e saj, unë, që kisha mbetur nga ana tjetër e xhamit, po kujtoja njohjen me të, dy vjet më parë.

Ajo na kishte pritur në bar “Vendôme” të hotelit “Ritz”. Portieri na kishte drejtuar një “bonjour” me edukatë, por zhbiruese, si të na thoshte: “ku po shkoni zotëri”? Pa e ndalur hapin – ishte shumë e rëndësishme që ai të ndjente siguri në zërin tim – e kisha pyetur për vendndodhjen e barit ku kishim takim. Atëherë shprehja në fytyrën e tij ishte bërë më e qetë dhe portieri-fizionomist na kishte shoqëruar vetë dy-tre hapa, për të na e treguar më mirë rrugën.

Hoteli “Ritz”, pronë e Muhamed Al-Fajedit, është nga ata hotelet “palace” të Parisit që nuk janë shumë demokratikë. Të hapur normalisht për të tërë, e vërteta është se aty nuk hyn dokushdo. Për shembull, atë ditë, dhjetë minuta pas nesh, hollin e përshkoi me hap të shtruar Zhak Shirak. Ish-Presidenti po shkonte të drekonte, pasi francezët e kanë zakon ta hanë drekën mes orës 12.00 dhe 14.00. Hoteli ndodhet në “Place Vendôme”, i rrethuar nga bizhutjerë me nam, si Boucheron, Cartier, Chaumet, Van Cleef & Arpels, Bulgari, Baümer, Chanel, Dior apo Louis Vuitton.

Inva na kishte thirrur më shumë se sa na kishte ftuar, – ngaqë kishte këmbëngulur prerazi në ftesën e saj, – për të parë se kë i kishte dërguar Top Channel. Asokohe ajo ishte në prag të divorcit dhe ishte tejet e kujdesshme për jetën e saj private. Si gazetar që mbuloja kryesisht politikën, unë i thashë se nuk më interesonte shumë ana rozë e jetës së njerëzve. Të paktën, jo për ta përfshirë në dokumentarin tim. Megjithatë, gjatë kohës që ajo fliste, nuk mund ta hiqja nga mendja mendimin se princesha Diana, darkën e fundit përpara aksidentit e kishte ngrënë në “Ritz”, në shoqërinë e Dodit, të birit të Muhamed Al-Fajedit. Ky mendim më ka shkarë si pa dashje edhe në dokumentar, duke zënë vend në skenën ku Inva përshkon në këmbë sheshin “Vendôme” drejt Operës Garnier.

Atë ditë, në kontaktin e parë të drejtpërdrejtë me të, më kishte bërë përshtypje thjeshtësia e saj. Sigurisht, ajo është shqiptare dhe ne, ballkanas dhe mendjemëdhenj në kulm, s’e kemi për gjë t’i ulim njerëzit nga piedestali i tyre (e mo, u bë ajo!). Ndoshta edhe prejardhja dhe thjeshtësia me të cilën është rritur kanë ndikuar në karakterin e Invës. Por ajo është më shumë se kaq. E veshur natyrshëm me “Chanel”, ajo është mjaft rehat me tërë atë luks dhe maniera të rafinuara sjelljeje. Por luksi nuk është për të një koracë që e distancon, që e bën më të ftohtë e të paarritshme, e kësisoj më të dëshiruar. Jo! Thjeshtësia e Invës është çiltërsi; madje Inva duket aq gazmore, sa ti i bën pyetje vetes nëse nxehet ajo ndonjëherë. Fjalët i derdhen papushim nga një gojë e buzëqeshur, si një fëmijë që sapo ka mësuar të flasë, por gjithmonë duke i peshuar ato që thotë. Te Inva nuk ka asgjë të përbashkët me zonjat e dendura me botoks të “16e arrondissement” apo të Neuilly-sur-Seine, lagjet shik të Parisit, gjithmonë të nxira me UV si Donatela Versaçe, që edhe të folurën e kanë të shtirur, duke i rrumbullakosur me kujdes rrokjet sikur i mbllaçitin. Ndonëse edhe vetë banon në një apartament të bollshëm të “16e arrondissement”, Inva, me të njëjtën thjeshtësi që i drejtohet ministrave të kabinetit dhe snobëve të jetës mondane pariziene, që rreshtohen në prapaskenë pas shfaqjes për ta përshëndetur, me të njëjtën thjeshtësi shkëmben dy-tri batuta edhe me portierin me ngjyrë të operës. Luksi nuk është për të një lëvozhgë, por një gjendje e mendjes dhe e shpirtit.

Pak a shumë këtë thjeshtësi e gjeta edhe te disa prej artistëve që më bëri të takoj, si p.sh., një kostumiere e oskarizuar për filmin “Cyrano de Bergerac”, Franka Skuarçapino, me të folur të shtruar si zysh shkolle; drejtori “i tmerrshëm” i Operës Kombëtare të Parisit, Nikola Zhoel, një version francez i Zhani Cikos; apo Zhan-Lui Martinoti, një regjisor me pamje prej babaxhani. Por mesa duket, kur luksi dhe fama nuk trashëgohen, por fitohen me mund e djersë, pas përpjekjesh të pareshtura të një jete të tërë, atëherë kjo të mban më me këmbë në tokë. Ti, sigurisht, je i ndërgjegjshëm për atë që je, por ti je edhe i qartë se kjo nuk është një e dhënë e përjetshme, konstante dhe e pandryshueshme. Kjo është diçka që mund të ruhet vetëm mes përpjekjesh të vazhdueshme, papushim, për aq kohë sa Zoti do të të japë fuqi.

Po atë ditë të njohjes së parë me të, gjatë darkës në “Café de la Paix”, – një restorant sot shik, por dikur popullor, të cilin thonë se e frekuentonte edhe Enver Hoxha kur ishte student në Paris, – Inva nuk fliste, por bënte ca grimasa dhe lëvizje me dorë, që të shkrinin gazit. Por, nuk kishte faj. Ishte një natë përpara shfaqjes dhe roli impenjativ i Mirejës, në operën me të njëjtin titull, i impononte të ruante zërin, duke i bërë herë pas here masazh kordave vokale.

Gjithmonë e kam pyetur veten, edhe kur nuk e njihja, se ku e gjen tërë atë forcë, tërë atë zë? Akoma më shumë e pyes veten sot, që e njoh, që kam ndenjur disa herë pranë saj dhe e kam parasysh fare mirë se çfarë shtati të imët ka, nga i nxjerr ato nota? Si i artikulon ata tinguj? Nga cilat mushkëri buron tërë ajo forcë që shtyhet jashtë për të na gozhduar të tërëve? Në fakt, sopranot e kultivojnë zërin e tyre, e stërvitin, kujdesen për të, mbajnë dietë, ushtrohen përditë njësoj si kulturistët (bodybuilding).

Inva ka një zë elastik, që e lejon të interpretojë si role sopranosh lirike, edhe role të asaj që quhet “koloraturë”, që kërkon vokaliza komplekse. Një rol i tillë është p.sh., Luçia di Lamermur, në operën me të njëjtin titull të Gaetano Donixetit. Pikërisht me arie nga kjo opera, Lyk Besoni e zgjodhi për të qenë zëri i divës së tij Plavalaguna në filmin “Elementi i pestë”. Regjisori francez kishte dashur të fuste në film një interpretim të hershëm të Maria Kallasit, por regjistrimi i vitit 1950 nuk ishte aq i pastër sa të qëndronte në një film të vitit 1997. Atëherë Mishel Gloc, agjenti i Maria Kallasit, e prezantoi me Invën. Vetëm kohë më vonë, në një dokumentar për filmin, u deklarua se zëri i saj nuk ishte modifikuar në mënyrë dixhitale për të arritur atë rezultat jashtë të zakonshmes në pjesën “The Diva Dance” (Vallëzimi i Divës).

Por duke qenë se opera është edhe një koncert i teatralizuar, këngëtarëve u duhet të jenë edhe aktorë. Për Invën kam dëgjuar vlerësime maksimale sa i takon aftësive të saj aktruese. Ajo mund të jetë bindëse edhe në një Margeritë të çmendur që vret fëmijën e saj, por edhe në një Violetë kurtizane, që bie kokë e këmbë brenda me një djalë nga familje e mirë.

Inva e fitoi famën pasi fitoi konkursin “Operalia” të Plaçido Domingos, në vitin 1993. Me tenorin spanjoll, ata kanë mbetur miq dhe partnerë. Në korrik të vitit 2010, në ballkonin e “Teatro Real” të Madridit, turma brohoriste Plaçido Domingon, Inva Mulën dhe… mbretëreshën Sofia. Kjo është një skenë që e kam parë me sytë i mi dhe nuk ma ka treguar kush. Është tejet emocionuese, mornicat të përshkojnë trupin dhe ti vibron nën efektin e histerisë kolektive. Pas 25 minuta ovacionesh në sallë, Plaçido Domingo, që mbushi 70 vjeç në skenë, Inva Mula dhe mbretëresha e Spanjës, Sofia, dolën në ballkonin e pasmë të teatrit. Me mijëra vetë e kishin ndjekur operën “Simon Bokanegra” të Verdit në ekrane gjigande, në “Plaza de Oriente”, mes pallatit mbretëror dhe “Teatro Real”. Shumë foto janë shkrepur atë natë, shumë celularë kanë “xhiruar” artistët, që nuk ngopeshin me “bravot” e njerëzve, që shndërroheshin pastaj në oksigjen artistik.

Në ambientet e brendshme Invës iu afrua Havier Solana, që i puthi duart. Inva e prezantoi me Hetem Ramadanin, partnerin e saj në jetë, i cili, duke zgjedhur ndoshta një moment jo shumë të përshtatshëm, nuk e la rastin t’i shpëtonte për t’i shprehur ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s mirënjohjen që ai si kosovar ndjente për atë personalisht, pas asaj që Aleanca kishte bërë në Kosovë. Ishte një natë deliri.

Inva vetë është gjysmë gjakovare nga i ati dhe gjysmë ruse nga e ëma. E rritur në Shqipëri, ajo është integruar tanimë në shoqërinë franceze, ku edhe ka marrë dyshtetësinë. Ka udhëtuar shumë nëpër botë, nga Shtetet e Bashkuara e deri në Kinë, duke kaluar nga Kontinenti i Vjetër dhe Rusia. Por pavarësisht kësaj ekzistence kozmopolitane që ushqehet nga profesioni i saj, Invës nuk i është shqitur kurrë etiketimi “sopranoja shqiptare”. Ky nuk është mallkim për të; ajo e pranon dhe ky është një fat i madh për ne.

Me Hetem Ramadanin ata mund të flasin me orë të tëra për Shqipërinë e Berishës dhe të Ramës, Kosovën, Adem Demaçin, luftën e ’99-ës, UÇK-në, etj., etj. Në sytë e shumë shqiptarëve të Shqipërisë kjo mund të tingëllojë demode, por ata janë të sinqertë në patriotizmin e tyre.

Çifti nuk e ka më problem të afishohet hapur dhe, nga jashtë, ata duken mirë. Nga jashtë duket se është Hetemi ai që përkushtohet më shumë, por Inva rrezaton respekt për të. Kur e pyet për jetën private, Inva thotë se ndihet e plotësuar. Duke më parë në sy, më thotë shkoqur: “Kur të flasësh për çiftin tonë, mos ki frikë të shfaqësh sigurinë e një lidhjeje tepër të thellë, me shumë komplicitet, paqe, harmoni dhe respekt reciprok”! Unë nuk mund ta gjykoj atë për divorcin e saj, por mund të konstatoj se ajo e ka kthyer përfundimisht atë faqe.

Inva thotë se asgjë nuk do të kishte kuptim pa të birin, Antoni Çakon, i cili, pavarësisht se vjen shpesh në Shqipëri për të parë të atin, jeton në Paris, ku ndjek një gjimnaz të përgjithshëm. Inva është e sinqertë kur e thotë këtë, por duhet të jesh prind, ta kuptosh. Ajo përpiqet të jetë jo vetëm një nënë e përkushtuar, por edhe një shoqe për djalin e saj gjashtëmbëdhjetë vjeçar. Antoni ka qenë gjithmonë i pranishëm në provat dhe shfaqjet e Invës, kurse ajo krenohet kur ua prezanton të tjerëve, artistë apo politikanë qofshin: “Antoni, tim bir”!

Për jetën e Invës është shkruar shumë edhe në të ashtuquajturin “shtyp rozë” shqiptar. Por unë nuk kam hasur kurrë një fjali të vetme për divorcin e saj në shtypin e huaj (për aq sa kam parë, për hir të së vërtetës). Ajo më ka shprehur shqetësim se në kohën e divorcit, më shumë shkruhej për këtë sesa për projektet e saj artistike. Inva është një “qen” i punës, në kuptimin e mirë të fjalës. Për meritat e saj, me dekret të Presidentit të Republikës franceze ajo është shpallur “Kalorëse e Artit dhe e Letrave”, njësoj si Ismail Kadare dhe i ndjeri Jusuf Vrioni.

Kur dokumentari mbi jetën e saj u montua, Top Channel vendosi ta transmetojë premierë në kinema, por vetëm nëse Inva vinte ta promovonte vetë. Ajo nuk e kishte parë dokumentarin dhe unë mendoja se ajo mund të refuzonte, qoftë edhe për shkak të axhendës së tejmbushur. Në fakt, puna i ka mësuar vetëmenaxhimin. Në Paris, Inva asistohet vazhdimisht nga dy atashe shtypi, të cilat i rregullojnë axhendën mediatike: një nga opera e Parisit dhe një nga “Virgin Classics”, shtëpia e saj diskografike. Ajo shkon në televizione dhe në radio, si pjesë e një mekanizmi promovues që është në shërbim të artistit, por sidomos të veprës. “Ky është një detyrim moral, në radhë të parë ndaj publikut”, – thotë ajo.

Në Shqipëri nuk pasqyrohet as një e dhjeta e aktivitetit të saj vjetor. Ndaj, pas dy vjetësh nga njohja me të, nuk na dukej aspak e tepruar që ishim rikthyer në Paris për të treguar, kësaj here, diçka nga vënia në skenë e “Faustit” të Sharl Gunosë.

Hera e fundit që kjo opera është luajtur në Paris ka qenë në vitin 2003. Prodhimi i mëparshëm, një triumf i vërtetë, u luajt për më shumë se një çerek shekulli, duke shënjuar një brez të tërë. Pas 8 vjet mungese, drejtori i Operës Kombëtare të Parisit, Nikola Zhoel, vendosi t’ia rikthejë operën parizienëve. “Fausti” do të luhet në Operën e Bastijës deri më datë 25 tetor. Premiera u mbajt më 22 shtator, kurse mbrëmë ishte shfaqja e dytë. Për disa prej kritikëve, Nikola Zhoel ka bërë një zgjedhje të guximshme, por, po aq sa ishte e guximshme, mendojnë ata, po aq kishte ardhur koha që publikut parizien t’i servirej sërish kjo vepër e rëndësishme e repertorit francez. Vetëm koha do të tregojë nëse ky “Faust” do t’i qëndrojë apo jo krahasimit me prodhimin e mëparshëm. Por, sikurse shkruante njëri prej kritikëve, për këtë prodhim Nikola Zhoel ka zgjedhur dy vlera të sigurta, që nuk e kanë shokun sot për sot në botë në rolin e Faustit dhe të Margeritës, Roberto Alanjan dhe Inva Mulën.

Por mbi operën duket se qëndronte varur një fat jo i mirë. Ditën e premierës, një grevë e punonjësve të skenës për pak sa nuk rrezikoi vetë shfaqjen. Ndërkohë që disa ditë përpara kësaj, opera u mbulua nga një parfum skandali, pas largimit të dirigjentit Alën Lombard. Në fakt, ishte tenori i famshëm Roberto Alanja ai që u bë shkas për këtë. Dy ditë rresht tenori shkoi në prova me vonesë, pa i kërkuar ndjesë drejtorit të orkestrës. Gjatë provave, ky i fundit ia luajti një arie më lart, duke e lënë tenorin e famshëm pa zë. I tërbuar, ai i vuri kusht drejtorit të operës: “o unë, o ai”! Për dy ditë provat u pezulluan dhe artistët qëndruan në shtëpi. Pas dy ditësh, drejtori Nikola Zhoel zgjodhi të mbajë tenorin dhe të largojë dirigjentin, ndonëse afishja zyrtare ishte printuar dhe vendosur kudo në Paris, prej kohësh.

Në fakt, Roberto Alanja nuk e ka për herë të parë që bëhet protagonist i një skandali. Në vitin 2006 ai këndonte në “La Scala” rolin e Radamesit, në “Aidën” e Verdit, kur publiku milanez, – që e kishte marrë zët jo për arsye profesionale, por thjesht dhe vetëm sepse ky i fundit ishte prishur me mjeshtrin Rikardo Muti, të cilit i detyrohej shumë në fillimet e karrierës, – e mbyti me “yyyyy”… Sa hap e mbyll sytë, Roberto doli vrik nga skena, në mes të shfaqjes, dhe dublanti i zuri vendin i veshur… me xhinse. “Skandal”, – klithi shtypi italian! Që atëherë Roberto Alanja, i lindur në Paris nga prindër sicilianë, nuk ka luajtur më në “La Scala”, ndonëse mbetet një nga tenorët më të mëdhenj në botë.

Edhe për “Faustin” ai u bë gati të largohej, duke përgatitur edhe një komunikatë për shtyp. Por për suksesin e “Faustit” në Paris, ai duket se është më i vyer sesa dirigjenti Alën Lombard.

Ne e takuam në lozhën e Invës dhe ajo që dukej qartë ishte një komplicitet mes tij dhe asaj. “Herën e parë që e kam kënduar ‘Faustin’, – na tha artisti dyzet e tetë vjeçar, – isha 20 vjeç”. Por “çdo herë mrekullohem, sepse kjo muzikë është e magjishme. Dhe me Invën është gjithmonë një kënaqësi shumë e madhe, sepse njihemi mirë, jemi si vëlla e motër, dhe kjo të lejon ta këndosh veprën në një mënyrë mjeshtërore”.

Për “Faustin”, 2700 biletat e Operës së Bastijës janë shitur prej kohësh. Në datë 10 tetor opera do të transmetohet direkt në sallat e kinemave dhe në televizionin “France 3”. Me fjalë të tjera, opera do të demokratizohet. Por kjo është një nismë që e filloi “Metropolitan Opera” e Nju Jorkut dhe u rimor edhe nga teatro të tjerë në Europë. Megjithatë, unë nuk mund të konceptoj ta shoh operën në sallë kinemaje. Libreti është trillim, por opera vetë është reale. Opera është koncert, është teatër, është kontakt i drejtpërdrejtë me solistët dhe korin, pa ndërmjetësim. Vërtet biletat shkojnë deri në 180 euro për “Faustin”, por në provat gjenerale hyrja ishte falas, ndërkohë që biletat në galeritë e sipërme të sallës zbresin edhe deri në 5 euro. Gjithsesi, mendoj se një vend në teatër është më mirë se një vend në kinema.

Dy shfaqjet e para të “Faustit” kanë qenë një sukses. Inva Mula dhe Roberto Alanja i kanë garantuar operës, të paktën deri tani, suksesin e pritshëm. Shtypi shkroi edhe njëherë për suksesin e “sopranos shqiptare”.

Në darkën pas premierës, ajo ndihej e lehtësuar. Ajo më foli për planin e saj, që bashkë me Hetemin të organizojnë një koncert të madh në Tiranë për 100-vjetorin e Pavarësisë. “Ky është një projekt për qeverinë, – ishte hedhur kryeministri Berisha, kur ia kishin thënë idenë. – Fondacioni ‘Hi Classic’ nuk ka pse paguan për këtë”.

– “A mendon se mund ta transmetojmë në Top Channel, nëse paguan qeveria”, – më pyeti Inva, duke më parë në sy.

– “Nuk e di”, – ia ktheva, duke ngritur supet. Por i premtova se sapo të më jepej mundësia, do t’u sugjeroja këshilltarëve të Presidentit, që ky i fundit ta shpallë “Nderi i Kombit”. Ajo qeshi, por unë isha i sinqertë.

Top Channel