Biznesi: Amnistia dështoi

24/09/2011 00:00

Biznesi deklaron se ligji i faljes në formën që e miratoi qeveria nuk e
përmbush qëllimin kryesor të tij, atë të deklarimit të kapitaleve, ndaj i
kërkon qeverisë të marrë masa, që amnistia të mos dështojë.

“Ka shumë punë për të bërë, Ministria e Financave, duhet të mbledhë të gjithë aktorët në mënyrë që ligji të marrë qasjen e sipërmarrësve, që të kenë siguri për të qenë subjekt i tij”, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.

Dhoma e Tregtisë ishte një nga nismëtarët kryesorë të hartimit të ligjit për Amnistinë Fiskale. Por qeveria nuk e pranoi plotësisht draftin e propozuar nga biznesi, duke ndryshuar nenin që kishte të bënte me garancitë. Që nga ajo kohë, qëndrimi i biznesit ndaj procesit ka qenë gati indiferent dhe shifrat e deklarimeve flasin për pjesëmarrje të vakët.

“Ne nuk kemi statistika se në c’nivel është zbatimi i ligjit, sepse Ministria e Financave nuk i ben publike periodikisht, por skepticimi yne e ka shoqeruar miratimin dhe implementimin e këtij ligji”, tha Jaka.

Por ndërsa shpreh rezerva të forta për pjesën e garancisë mbi kapitalet e deklaruara, kreu i Dhomës se Tregtisë ka përshëndetur nismën e Bashkisë së Tiranës, për zhbllokimin e ngërcit të hipotekave për 400 pallate në Tiranë.

Bankat: Amnistia fiskale, një zhgënjim

Një tjetër sinjal negativ i amnistisë fiskale vjen nga vetë sektori bankar, aty ku parashikohej legalizimi i shumave të konsiderueshme, kundrejt pagesës 3 për qind, që shkonte për buxhetin e shtetit.

“Edhe pse i morëm të gjitha masat, trajnuam stafet dhe qëndruam në gatishmëri, pakkush u kujtua të legalizonte të ardhurat e padeklaruara. Të shohim çfarë do të ndodhë për tre muajt e mbetur të vitit”, shprehen burime pranë Shoqatës së Bankave për gazetën ‘Shqip’.

Sa u takon të dhënave, është vështirë të raportohen në kohë reale për shkak se në vend operojnë rreth 530 degë dhe agjenci bankare. Megjithatë, informacionet paraprake tregojnë për një zhgënjim të vërtetë. Ashtu si biznesi, edhe sektori bankar në vend e shikon përgjegjësinë te vetë shteti, i cili nuk ndërmori asnjë fushatë sensibilizuese për të informuar opinionin publik. Shoqata e bankave thotë se në media u prezantua për disa ditë një spot gjatë muajit korrik, por nuk pati rezultat. Nëse në tre muajt e verës, aty kur emigrantët vizitojnë masivisht vendin e tyre, nuk u ofrua asgjë konkrete, për pjesën e mbetur të vitit shanset paraqiten negative.
 

Top Channel