Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ndahet në dy qendrime për çështjen e ish zëvendëskryeministrit nën akuzë, Ilir Meta.
Sikurse kishte këndvështrime të ndryshme për radhën e marrjes së provave, gjyqtarve të Kolegjit Penal u ka ndodhur e njëjta gjë edhe për caktimin e ekspertëve që do të verifikojnë videoskandalin Meta-Prifti.
Pasi Kolegji Penal ka zbardhur vendimin e ndërmjetëm për thirrjen e ekspertëve, Top Channel siguroi nga palët në rrugë jozyrtare, të dyja qendrimet e Kolegjit Penal, ku bie në sy, arsyetimi ndryshe i shumicës i relatorit të çështjes Ardian Dvorani, që sërish është kundër pjesës tjetër gjykuese.
Duke kontestuar thirrjen e ekspertëve shqiptarë, Dvorani argumenton në këtë vendim se gjykata duhet të mbante parasysh që në rastet e ngjarjeve të profilit të lartë, atyre me komplekse, të rënda, të jashtëzakonshme apo të vështira është kërkuar nga të gjithë ekspertimi me anë të ekspertëve të huaj.
“Kjo praktikë e konsoliduar – vijon gjyqtari Dvorani, – jo vetëm është e bazuar në ligj, por ka patur si efekt garantimin e besimit të palëve në gjykim dhe opinionit në tërësi, për drejtësinë dhe normalitetin e hetimit dhe gjykimit të çështjes”.
“Për vetë natyrën e çështjes, personalitetin e spikatur të të pandehurit Ilir Meta si politikan dhe shtetar – shprehet më tej gjyqtari – por edhe të shtetarit Dritan Prifti si politikan e shtetar e që ka regjistruar bisedën, për vetë stadin aktual historik të zhvillimit të institucioneve, kam bindjen që grupi i ekspertëve duhej të përzgjidhej ndërmjet ekspertëve me përvojë pranë enteve zyrtare e policive shkencore të një vendi perëndimor”.
Më tej relatori i çështjes, Ardian Dvorani shpjegon se, “edhe nëse ekspertët do të zgjidheshin në vend, siç edhe u përzgjidhën në fakt, zgjedhja duhej të bëhej mes atyre personave që ushtrojnë profesionin jashtë institucioneve publike apo ndikimit real e potencial mbi ta”.
“Përndryshe, – thotë Dvorani, – nuk do vërehej dallimi mes këtyre personave dhe atyre që kanë cilësitë e ekspertit dhe ushtrojnë detyrën pranë policisë sonë shkencore”.
Por me gjithë këtë vendim të argumentuar të relatorit Ardian Dvorani, i cili ka mbetur në pakicë dhe i vetëm në vendimin e ndërmjetëm katërshja tjetër e kolegjit duket se vendosi për fatin e ekspertimit që kësaj radhe nuk do bëhet as në Amerikë e as në Angli sikurse radhën e parë.
Të premten, në 23 shtator, ekspertët Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani janë njerëzit që pasi do bëjnë betimin, do të analizojnë videoskandalin dhe do të thonë fjalën e tyre, fjalë prej të cilave varet në fije të perit ky proçes gjyqësor.
Top Channel