Libi, luftë në Sirte e Bani Ualid

16/09/2011 18:30

Autokolona të trupave anti-Gaddafi kanë përsëritur sulmet në Sirte dhe Bani Ualid, dy nga bastionet e fundit të liderit të rrëzuar Muammar Gaddafi.

Të shtëna dhe shpërthime janë dëgjuar rredh kodrave dhe luginave të Bani Ualid, 180 kilometra në jug të Tripolit, teksa qindra luftëtarë kanë hyrë në qytet.

Kamione dhe tanke i janë afruar edhe Sirtes, disa orë pasi një ofensivë u detyrua të tërhiqej për shkak të reagimit të ashpër të trupave të kolonelit.

Ndërkohë, kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan po viziton kryeqytetin libian, ku është takuar me udhëheqësit e rinj të vendit.

Vizita e tij, që ka si qëllim rritjen e influencës së Turqisë në rajon, vjen pas asaj të presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit britanik David Cameron.

Ndërkohë, lideri i përkohshëm i Libisë, Mustafa Abdul Jalil do të takohet me presidentin amerikan Barack Obama, gjatë zhvillimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që nis punimet të martën në Nju Jork.

Korrespondenti i BBC në Tripoli, Ian Pannell deklaron se sulmet e fundit në Libi tregojnë se beteja për zonat e kontestuara mund të hyjnë në një fazë vendimtare.

Rebelët hyjnë në Sirtë

Luftëtarët e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit kanë hyrë në rrethinat e qytetit bregdetar të Sirtes, një prej fortesave të fundit të besnikëve të liderit të përmbysur libian Muammar Gaddafi.

Rebelët arritën të thyejnë mbrojtjen e qytetit në jug dhe në perëndim të tij, por kanë ndeshur në rezistencën e fortë të trupave të kolonelit. 4 të vdekur ishte bilanci i humbjeve në radhët e kryengritësve dhe 7 të plagosur, ndonëse disa raporte të tjera japin të tjera shifra: 11 të vrarë dhe 34 persona të lënduar.

Zëdhënësi i Gaddafi-t, Musa Ibrahim tha për një stacion televiziv sirian se mijëra vullnetarë janë të gatshëm të bashkohen me forcat e kolonelit dhe të clirojnë libinë nga Këshilli i Tranzicionit.

AI: Krime lufte në Libi

Amnesty International ka akuzuar të dyja palët në Libi për krime lufte.Në raportin e fundit, organizata thotë se shtypja e protestuesve nga ana e Muammar Gaddafi-t ka dëshmuar krim kundër njerëzimit, ndërsa arrestimet arbitrare, tortura e të burgosurve dhe rrëmbimet janë krime lufte.

Raporti thotë se zyrtarë të AI-së kanë parë trupa të vrarë të figurave opozitare, të cilat ishin qëlluar në kokë me duar të lidhura pas shpine.

Organizata thotë se ka video, që tregojnë të burgosurit teksa qëllohen për vdekje.

Raporti vë në dukje se edhe forcat kundër regjimit janë fajtore për abuzime të të drejtave të njeriut, porse në një shkallë më të vogël.

Ato kanë rrëmbyer, kanë arrestuar në mënyrë arbitrare, kanë torturuar dhe vrarë besnikët e Gadafit dhe shtetasit e huaj, të dyshuar gabimisht për mercenarë, thuhet në raport.

Amnesty International i bën thirrje Këshillit Kombëtar të Tranzicionit të hetojë abuzimet e të dyja palëve dhe t’i vërë të drejtat e njeriut në krye të agjendës së tij.

Cmimi i lirisë, 50 mijë të vrarë

Çmimi i paguar për rrëzimin e diktatorit Gadafi është i lartë. 50.000 vetë besohet të jenë vrarë gjatë rebelimit kundër regjimit të pushtetmbajtësit libian.

Me këmbëngulje vazhdon të përhapet fjala se vetë Gaddafi ndodhet në qytetin e tij të lindjes. Lajme të tjera flasin për qytetin Beni Ualid, në jug-lindje të Tripolit, ku koloneli gezon një mbështetje të gjerë.

Zëdhënësi i kryengritësve, Al Amen Bolhaj e paraqet jo shumë të rëndësishëm një arrestim të mundshëm të Gadafit.

“Të gjithë libianët shpresojnë që ta arrestojnë sa më shpejt që të jetë e mundur Gadafin. Por ky nuk është synimi ynë i parë, ne nuk jemi të fiksuar në kapjen e tij. Ne duam të ndërtojmë një Libi të re”, është shprehur ai.

Top Channel