KE, kontroll edhe në kufi

16/09/2011 21:30

Komisioni Europian propozoi sot një sistem të bazuar në BE për zonën Schengen. Cecila Mallmstrom tha se ky sistem lejon në mënyrë më efikase menaxhimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave në vendet anëtare.

“Në thelb të kësaj qasjeje janë vizitat, e lajmëruara ose jo, në kufi për të verifikuar zbatimin e rregullave Schengen nga ekipet e Komisionit dhe Frontex, si dhe të ekspertëve të vendeve anëtare e të tjerë. Kjo do të na lejojë që të identifikojmë herët nëse ka ndonjë problem apo parregullësi”, deklaroi Malmstrom.

Me regjimin e ri, rivendosja e kontrollit në kufirin e brendshëm për ngjarje të pritshme si ato sportive, merret nga Komisioni pasi informohet nga vendi anëtar përkates dhe mbeshtetet me shumicë të cilësuar nga Këshilli i BE-së.

Por një vend anëtar gëzon të drejtën që të vendosë kontrollin kufitar menjëherë për 5 ditë në rast të ndonjë sulmi terrorist apo ndonjë zhvillimi tjetër të papritur.

“Ne ndërtojmë një qasje të përbashkët për mbrojtjen e interesit tonë të përbashkët dhe mënjanojmë një situatë ku vendet anëtare lexojnë në gazeta se fqinji i tyre do të vendosë kontrollin kufitar”, nënvizoi Malmstrom.

Komisionerja Malmstrom siguroi se ky propozim nuk ndryshon situatën aktuale që parashikon se verifikimi në kufi bëhet në rastet e rrezikut serioz për publikun apo sigurinë ndërkombëtare.

Top Channel