Ilir Yzeiri – Para disa ditësh vizituan Shqipërinë ministri i Jashtëm italian dhe
ministri i Jashtëm grek. Ata erdhën në Tiranë si politikanët më të lartë
të Brukselit, që e njohin më mirë Shqipërinë dhe, duke qenë se janë
fqinjët tanë historikë, kanë edhe interesat e tyre në rajonin e
Ballkanit.

Ata përsëritën me forcë se ‘duhet të bëni një pakt kombëtar, në mënyrë që të përshpejtoni rrugën për të hyrë në Europë’. Vizita e tyre përkoi me kohën kur Italia sapo kishte përfunduar planin për ristrukturimin e buxhetit në mënyrë që t’i shpëtonte infektimit nga kriza e borxheve, ndërsa Greqia po përpëlitej nga shtrëngimi i darëve të këtij borxhi dhe ministri i Jashtëm gjerman deklaronte se Greqia edhe mund të falimentojë, se ajo duhet të dorëzojë sovranitetin.

Pas kësaj, kancelarja Merkel doli në një konferencë shtypi dhe e zbuti deklaratën fataliste të ministrit të vet të Financave në lidhje me Greqinë. Në pamje të parë duket se ëndrra jonë europiane nuk ka lidhje me fantazmën e Greqisë, të një shteti që po jeton gjendjen më të vështirë ekonomike e shoqërore të vetën, qyshkur nuk mbahet mend. Kriza greke nuk është e vetmja.

Vendet e zonës euro janë prej kohësh në stanjacion e në recesion gjithashtu. Edhe SHBA nuk po jeton ndonjë periudhë të lakmueshme. Presidenti Obama deklaroi disa ditë më parë se gjatë muajit gusht, rritja e numrit të vendeve të punës është thuajse zero. Në qoftë se do t’u referohemi filozofëve të kohës sonë, do të mësojmë se qytetërimi perëndimor, sipas filozofit gjerman Peter Sloterdijk, ka dalë nga periudha e paseizmit, domethënë nga periudha e glorifikimit të së shkuarës dhe është futur në periudhën e glorifikimit të së ardhmes. Ne, thotë ky filozof, jetojmë sot në botë si projektim i së ardhmes.

Arti i premtimeve filloi me Rilindjen (në Antikitet dhe në Mesjetë fajdexhinjtë i dënonte kisha), në çastin kur në jetën e europianëve hyri kreditimi. Kriza e qytetërimit të sotëm, vijon ai, buron nga fakti se ne kemi hyrë në një epokë ku aftësia e kredisë për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme është bllokuar, sepse sot merren kredi për të shlyer të tjera kredi.

Thënë ndryshe, kreditizmi ka hyrë në një krizë fatale, përfundon ai. E gjithë kjo ka vënë në pikëpyetje të ardhmen. Ndërsa filozofi tjetër, Slavoj Zizek, shton se gjithë bota e di se është e pamundur të shlyhet një borxh i tillë si ai që kanë vendet perëndimore. Këtë, unë do ta quaja fetishizim i së pamundurës, që do të thotë se të gjithë e dinë se këto borxhe nuk paguhen dot, por askush nuk e merr seriozisht këtë gjë. Pas këtij muri të madh borxhesh, epoka aktuale gjendet pranë asaj që mund ta quajmë “shkalla zero”. Natyrisht, ka shumë e shumë më tepër arsyetime se këto të këtyre dy filozofëve, por ne le të kthehemi te vizita e dy ministrave të Jashtëm dhe tek ëndrra jonë e madhe europiane. Ne shqiptarët jemi populli më europiandashës në Ballkan e më gjerë dhe ëndrrën tonë europiane, ashtu si dhe dashurinë për SHBA-në, kurrë nuk e kemi vënë në dyshim. Mirëpo Europa që kemi përballë dhe rruga që po ndjekim, kanë filluar të prodhojnë zhgënjimet e para. Kur filloi kriza greke, shumë analistë euopianë fajësuan institucionet perëndimore që nuk ishin treguar të vëmendshme për të paralajmëruar dhe për të parandaluar krizën greke. Në fund të këtyre analizave, mjaft prej tyre, me një ndjenjë vetëkritike thoshin se përse duhet të vijojmë të tregohemi hipokritë dhe të vijojmë të gënjejmë vendet e Ballkanit, kur ne atyre u treguam si model të Europës një shtet të falimentuar si Greqia. Përse duhet t’i ftojmë në familjen tonë këto vende, që të gjenden pas 30 vjetësh të falimentuara si Greqia sot? Përse toleruam që udhëheqësit dhe politikanët grekë të na gënjenin me bilance të rreme, përse i lamë ata dhe nuk dhamë alarmin për korrupsionin dhe kalbëzimin e klasës politike të këtij vendi, e cila, me një papërgjegjshmëri fatale, e çoi vendin deri në humbjen e sovranitetit? Ne, vijonin analizat e ekspertëve të Brukselit, kemi rastin tani që të mos lëmë që vendet kandidate si ato të Ballkanit Perëndimor të ushqejnë iluzionin se do të futen në Europë me bandat e politikanëve dhe shtetarëve hajdutë e të korruptuar. Natyrisht, të gjithë e mirëkuptojmë mbështetjen që na japin qoftë Italia, qoftë Greqia, ashtu siç nuk e mirëkuptojmë sjelljen e vjetër greke për të gllabëruar ujëra e për të këmbëngulur në identitete të munguara, ashtu siç nuk mund ta pranojmë edhe “neootomanizmin” turk. Ajo që nuk mund ta mirëkuptojmë, është gjuha jo e qartë që përdorin diplomatët europianë kur duan të adresojnë problematikën e tranzicionit shqiptar. Shqiptarët duan të dinë se përse qeveria shqiptare tolerohet nga institucionet europiane dhe përse korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk ndëshkohen nga partnerët tanë. Më në fund, shqiptarët duan të dinë se deri kur diplomatët europianë do të tolerojnë vjedhjen e zgjedhjeve. Rasti tipik për të parë qëndrimin e dyfishtë të aleatëve perëndimorë është raporti i OSBE/ODIHR. Pjesa e hartuar nga europianët ishte shkruar me një gjuhë të drunjtë, me fraza që nuk thoshin asgjë dhe me një shprehje lajkatuese për qeverinë, që nuk përfaqësonte gjendjen reale të sendeve. Këto zgjedhje jo vetëm që nuk ishin kompetitive e konkurruese, përkundrazi. Vetë raporti i hartuar nga OSBE hidhte poshtë këtë frazë kur thoshte se qeveria përdori administratën në votime. Ndërsa pjesa e ODIHR, që mesa kuptohet tani, mban vulën e Stronstreet, e këtij diplomati serioz amerikan, ishte realiste dhe i adresonte problemet drejt. Stronstreet i qëndroi besnik autoritetit të tij si një diplomat serioz i një vend të madh dhe nuk përmendi kurrë fjalën standard. Ai e vizitoi përsëri këto ditë Shqipërinë dhe ndihma e tij është me të vërtetë e sinqertë. Ne, shqiptarët, tani, pas njëzet vjetësh, kemi nevojë për një ndihmë të tillë, në mënyrë që politikanët shqiptarë të mos ndjekin modelin e shteteve të Magrebit që u rrëzuan me revolucione popullore në atë që u quajt “Pranvera arabe”. Që të gjithë jemi në një mendje se në këto njëzet vjet, në mënyrë të rrezikshme kemi ndërtuar modelin e një shteti që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë. Qeveria aktuale, sidomos, po jep shembullin e skajshëm se si krimi dhe politika po i zënë frymën vendit. Vrasja makabre e gjyqtarit Konomi, kriza e tejzgjatur dhe tragjike e Bulqizës, aferat korruptive që kanë mbytur median shqiptare, krimi politik dhe vrasjet e 21 janarit, mosndëshkimi dhe vetëgjyqësia janë vetëm disa nga treguesit e një modeli qeverisjeje që po thekson gjithnjë e më shumë idenë fatale se ky vend është i pajetueshëm. Nga ana tjetër, ndotja akustike dhe shkatërrimi i imazhit që vjen prej dizinformacionit dhe prej bombardimit informativ me personazhe politike që acarojnë publikun, ka prodhuar një atmosferë ndotëse dhe ka rritur efektin depresiv te njerëzit. Krimin më të madh në këtë ndotje po e bën Televizioni Publik Shqiptar, i cili është kthyer në një megafon të fëlliqur të qeverisë dhe është shfytyruar deri në atë masë sa edhe diktatura e Koresë së Veriut do ta kishte zili. Është e papranueshme, gjithashtu, që edhe opozita nuk paraqet alternativën e saj qeverisëse. Ne sot duam të dimë se si do të sillet nesër opozita kur të vijë në pushtet me universitetin dhe arsimin në përgjithësi, me Policinë e Shtetit dhe me drejtësinë, me median dhe mjedisin. Opozita duhet të sillet jo thjesht si një media kritike e qeverisë, por edhe si një alternativë e besueshme e qeverisjes së nesërme. Në një kohë kur krimi i organizuar dhe mafia po sundon vendin, opozita duhet të na tregojë se si do ta shëndoshë ajo këtë gjendje, në ç’mënyrë do të rrisë ajo autoritetin e Policisë së Shtetit dhe kur do të vijë dita që pas ndërrimit të pushtetit, komisariatet e policisë të mos boshatisen për t’u mbushur me militantët e radhës. Deri më sot, çdo forcë politike ka ardhur edhe me policinë e vet. Ndërkaq, të vetmit që konsolidohen, janë kriminelët që blejnë të ardhurit e rinj nëpër komisariate dhe vijojnë jetën në shtetin aleat. Ndërsa ne ende nuk po ndërtojmë idhullin e engjëllit mbrojtës, të shtetit që na ruan dhe na mbron. Opozita duhet të na tregojë me fakte se ajo ka gati platformën kombëtare të shtetit të qytetarëve dhe se nuk do të jetë vijuesja e shtetit që mbron veten, që vjedh për vete dhe që i lë qytetarët të vriten. Ndaj edhe vizita e dy ministrave të Jashtëm duhet mirëkuptuar kështu. Partnerët tanë dhe miqtë europianë duan që ne të shpejtojmë hapat për në Europë, por ata kurrë nuk kanë për të na zëvendësuar qeveritë kur ato na vrasin apo na vjedhin. Këtë ne duhet ta mësojmë vetë dhe të jemi të vëmendshëm sidomos ndaj miqve si Stronstreet, që na thonë të vërtetën hapur dhe në sy. Përndryshe ne do të hyjmë në Europë, por pas tridhjetë vjetësh do të na duhet të dorëzojmë sovranitetin, siç rrezikon t’i ndodhë vendit mik, Greqisë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel