Erdogan: Izraeli s’mund të bëjë c’i do qejfi

15/09/2011 15:00

“Izraeli nuk mund të bëjë më cfarë i do qejfi në Mesdhe. Anijet turke mund të kalojnë tranzit në cdo moment”.

Kështu ka deklaruar kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës që po zhvillon në Tunizi, e para që pas rënies nga pushteti të presidentit Ben Ali.

Ndërkohë, flamuj të shtetit të Izraelit janë djegur nga qindra persona që gjatë natës kanë pritur në aeroport mbërritjen e kryeministrit turk.

Erdogan prishi marrëdhëniet me Izraelin pas refuzimit të këtij të fundit për të kërkuar flaje për vrasjen e 9 shtetasve turq në maj të vitit të kaluar.

Për të sulmuar shtetin hebre, shefi i qeverisë së Ankarasë ka përkrahur pa asnjë rezervë krijimin e shtetit të ri palestinez.

Gjatë një samiti të zhvilluar të martën në Egjipt, ai u tha përfaqësuesve të Lidhjes Arabe se, “brenda fundit të këtij viti ne do të shohim një situatë tërësisht ndryshe në Palestinë”.

Zoti Erdogan bëri thirrje për mbështetje për Palestinën, në përpjekje për të fituar njohjen e saj nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Por kjo nismë e Autoritetit Palestinez po frenohet nga Perëndimi, që ka nisur një ofensivë të vërtetë diplomatike në rajonin e Lindjes së Mesme.

Top Channel