“Wikileaks” dhe 28 Nëntori

15/09/2011 00:00

Valbona Sulce – Përtej të gjitha historive me emra e mbiemra, komente e stërkomente të
bazuara në kabllogramet e ambasadës amerikane, publikuar nga “Wikileaks”
dhe ripublikuar nga mediat shqiptare, qëndrojnë dy mësime të mëdha.

Mësimi i parë është që nuk kemi institucione. Dhe kjo për një vend që feston vitin tjetër 100 vjet pavarësi, është e rëndë. Nuk mund të fshihet as me programe ullinjsh, as me reformat e shkëlqyera, as me histori me spiunë. Nuk shtyhet as me vaj e as me verë. Dhe ngritja e institucioneve nuk është punë e një qeverie të vetme, janë një arradhë syresh që kanë dështuar në ngritjen dhe fuqizimin e institucioneve, ndaj përgjegjësia është e gjithë klasës politike shqiptare.

Mësimi i dytë është që “Wikileaks” nuk është dhe nuk do të jetë kurrë një Watergate (skandali që përfshiu administratën Nikson me përgjimet e kundërshtarëve dhe që u finalizua me dorëheqjen e Niksonit). Duke përjashtuar mundësinë që Berisha të veprojë si Niksoni, media dhe analistët e saj po “shqyhen” duke bërtitur për “skandale”, “furtunë”, “vdekje të republikës”, etj. Ngjan sikur janë të pakënaqur që nuk po ndodh asgjë në këtë vend edhe pas publikimit të kabllogrameve.

Nuk e di çfarë presin të ngjasë në një vend që kaloi ‘97-n, Gërdecin, 21 janarin. Do të duhej të reagonin institucionet, prokuroria p.sh., po siç e thamë institucione s’ka. Presin të ngrihen njerëzit? Për të gjithë ata që presin revolucion, duhet të lexojnë Fukuyaman që thotë se revolucionet sot nuk bëhen nga të varfrit, por nga klasa e mesme që nuk ndjehet e përmbushur në potencialin e saj. Klasë të mesme këtu s’ka ose është e dobët dhe ja ku jemi sërish në pikën e nisjes. Pra, ta flenë mendjen për revolucione.

Ndryshime me votë? Kjo është një përrallë që nuk funksionon më. Për më tepër, zgjedhjet janë larg dy vjet dhe ne kemi provuar disa herë që harrojmë shpejt. Fatkeqësisht duket se në Shqipëri është e vërtetë paradoksi që thotë një nga personazhet e Ekos në romanin “Varreza e Pragës”: e drejta universale për të votuar është armiku numër 1 i demokracisë. Sepse vota është përgjegjësi dhe jo të gjithë e kanë. Sepse vota do mend dhe jo të gjithë i kanë. Votat mund të blihen, mund të shiten, mund edhe të hidhen për tekë, për inat të këtij apo atij, duke harruar se është i vetmi pushtet që i ka mbetur qytetarit e fshatarit. Ndaj ja ku jemi sërish në pikën e nisjes, madje vite dritë mbrapa.

Të gjitha historitë e tjera të “Wikileaks” me “I thashë”, “më tha”, “thuhet se” nuk kanë pikë rëndësie. Ato do të mbushin dhe ca kohë kafenetë e shqiptarëve dhe do të harrohen deri në një “Wikileaks” tjetër. Analistët do ta kenë shpirtin në paqe se i shkruan ç’kishin për të thënë. Politikanët do ta kalojnë me një nënqeshje kur t’ua kujtojnë nëpër intervistat e radhës. Ndonjë do të kujtojë që “Wikileaks” ishte një operacion i paligjshëm i një njeriu që vodhi kodin e kabllogrameve. Po askush nuk do mund t’i mohojë meritën se në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, u tregoi shqiptarëve në pasqyrë se nuk kishin shtet. Atyre që kishin sy. Edhe pasqyrë.

Top Channel