Marin Mema – Betejë pas beteje politike, dy frontet opozita e
mazhoranca pritet të hidhen në një përplasje të re, atë për Presidentin e
Republikës.

Një duel që duket se do t’i hapë udhë një operacioni të ngatërruar mes interesash të vogla e të mëdha, politike e financiare. Lista e kandidatëve, të paktën e atyre të publikuar deri më tani (ndonëse me shumë gjasa nuk do të jetë asnjëri prej tyre kandidati zyrtar) vazhdon të zgjatet ditë pas dite. Teksa marrëdhënia mes dy kampeve politike mbetet e nderë, e ndarë mes llogoresh, e ashpër e aspak bashkëpunuese, vështirë të mendosh se ndonjëri prej tyre do të hapë rrugë lehtë. Socialistët do të kërkojnë të pengojnë ripërsëritjen e historisë së 2007-s që i la me gisht në gojë dhe me president nënkryetarin e PD-së. Në mos u realizoftë një president i majtë do të përpiqen të paktën të imponojnë një konsensual. E vështirë kjo, apo thuajse e pamundur, për shkak të ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, të cilat i japin mundësinë PD-së ta zgjedhë kreun e shtetit edhe me 71 vota nëse dështon konsensusi politik në Kuvend gjatë tre raundeve të para. Nga krahu tjetër, demokratët “zhgënjimin” e marrë nga Topi, drejt të cilit janë adresuar akuza të forta do të përpiqen ta zëvendësojnë me një emër tjetër, këtë herë besnik deri në fund të kërkesave të liderit Berisha. Të dyja palët nuk duket të kenë shenja tolerance, aq më tepër kur pas emrit të Presidentit fshihen poste si ai i Prokurores së Përgjithshme apo kreut të SHISH-it. Të tria këto institucione formojnë grupin “puçist” aq shumë të akuzuar nga krerët e PD në post 21 janar, datë kur deklaratat e Kryeministrit ndaj Presidentit u bënë më shumë se agresive, frontale duke i dhënë udhë tashmë një lufte që deri më parë fshihej pas nënkuptimeve e lojërave të fjalëve. Kreu i shtetit, më 21 prill 2008 mori goditjen e parë, fryt mbi të gjitha i mendjelehtësisë së socialistëve apo besimit të tyre të tepruar se do të vinin në pushtet, ndërsa 21 janari 2011 vulosi largimin e tij të sigurt me firmën e së djathtës. Ky 21 i dyfishtë, pjellë e politikës së madhe, që shënoi fatin e Bamir Topit, do të vulosë me shumë gjasa edhe emrin e presidentit të ri. Një përfundim ky thuajse i sigurt mbi të gjitha me votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, me të cilët socialistët u prishën përfundimisht pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. Pavarësisht se prishja mes Ramës e Metës iu faturua kërkesave të këtij të fundit për deputetë e poste, në fakt çarja e madhe ndodhi me këto ndryshime, përmes të cilave selia rozë, por edhe ajo blu, kërkuan të eliminojnë aleatët e vegjël.

Por siç ka ndodhur shpesh, rrota e historisë të paktën këtë herë u kthye jo kundër Metës e LSI-së, por vetë socialistëve, pikërisht atyre që s’pyetën askënd kur firmosën 21 prillin e që sot kërkojnë “konsensusin” e të gjithëve. Shumëçka apo gjithçka lidhet tashmë me këtë datë, të cilës socialistët po përpiqen t’i rindryshojnë udhën duke kërkuar ndërmjet liderit të tyre ndryshime të reja kushtetuese. Si një ogur i mirë apo i keq kjo është tjetër temë. 21 prilli sanksionoi edhe fatet e qeverisjes, duke pasur parasysh që LSI u shkëput zyrtarisht po në këtë datë nga koalicioni me Partinë Socialiste. Pa 21 prillin, të paktën nëse u referohesh numrave, vështirë që e djathta të ishte sërish sot në pushtet. Qoftë në zgjedhjet e përgjithshme qoftë në ato lokale, demokratët nuk do të arrinin dot për shumë arsye të fitonin pa LSI-në. Kjo aleancë i siguroi Berishës kreun e pushtetit në 2009-n. por edhe atë të Bashkisë së Tiranës në 2011-n. Fakt është se në të dyja rastet e majta e bashkuar do të ishte fituese, e në këtë rast s’do të kishim as grevë urie të opozitës në bulevardin kryesor të kryeqytetit, as komisione hetimore me akuza të frikshme, as bojkot parlamentar, as protesta masive në rrugë e as 21 janar, ku humbën jetën katër qytetarë të pafajshëm (e për të cilët nuk ka ende asnjë përgjegjës). Të gjitha këto momente erdhën si pasojë e një të vetmi, 21 prillit, si rrjedhojë e tij dhe shkalafitjes së të majtës. Etapa që na bën ne shqiptarëve të thjeshtë, të fshehim kokën nga turpi përballë ndërkombëtarëve, të cilëve iu desh të na ripërsëritnin sërish leksionet e demokracisë e civilizimit. Jo në Shqipëri, por restoranteve europiane ku liderëve tanë iu kërkua paqja para tasit të gjellës. Një çorbë e gatuar në fakt nga ata vetë me qëllimin e mirëpërcaktuar për të ngritur jo shtet, por pushtet. Një pushtet që zgjaton këmbët mes institucionesh “të pavarura” duke i kthyer ato në vegla ordinere, të thyeshme e përthyeshme sipas qejfit e oreksit të liderit. Politika e 21-shit është ndoshta simboli i mënyrës së funksionimit, negocimit dhe manipulimit të shtetit, institucioneve të varura e të pavarura prej tij. Prej politikës që kërkon në çdo kohë të përdorë pushtetin për t’i dhënë shtetit formën dhe fytyrën që i intereson veç asaj e për ta përdorur më pas si të dojë. Për të bërë e të zhbërë ligje, për të shitur e për të blerë, për të hapur e mbyllur, ricikluar dosje e dokumente, ngritur klane e interesa mbi të cilat nginjet e pasurohen më pas njerëzit e saj, që edhe pse betohen e përbetohen për “duar të pastra” nuk ngurrojnë t’i përlyejnë ato edhe me aktivitete kriminale. Historia e 21 prillit 2008 solli një histori të re, një dimension politik ku armiqtë u bënë miq e ku Kushtetuta e kthyer në një leckë pavlerë u tund e u shkund si karton apo teserë partiake. Gjithçka duket se mori më pas rrjedhën e asaj date, kur politika nguli thonjtë përmes Kushtetutës pa ndrojtje, përkundrazi duke u përpjekur të hiqej krenare para shqiptarëve për aksionin e radhës. Para shqiptarëve që thirren në apel vetëm kur dëmi është kryer, kur Kushtetuta është përdhosur e kur realiteti ka marrë vetëm një fytyrë. Edhe sot askush nuk flet për reforma apo ndryshime të ndikuara nga populli. Askush apo shumë pak guxojnë të artikulojnë një president të zgjedhur me votat e shqiptarëve, sepse një president me votë popullore nuk do t’u trembej, përkundrazi do të ishte edhe më i fuqishëm se ata vetë, politikanët e 21-shit. Por politika shqiptare nuk do gjeneralë të pavarur, por ushtarë të bindur që mund të përdoren vetëm si mashë e pushtetit. Politika kërkon e rikërkon një 21-ish të dytë. Ndërsa shqiptarët duhet të vazhdojnë të përshtaten e të përtypin të parin, 21-shin i cili jo vetëm u ndryshoi historinë për teka personale, por me shumë gjasa do t’u dhurojë atyre edhe presidentin e ri. Presidentin e 21-shit e pas tij me radhë prokurorin e 21-shit, SHISH-in e 21-shit, gjykatësit e 21-shit. Shkurt shtetin e 21-shit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel