Për shumë nga njerëzit që do të humbnin jetën në Kullat Binjake dhe në Pentagon, 11 Shtatori 2001 ishte një ditë e zakonshme pune. Për të gjithë ishte një ditë e zakonshme, që brenda pak sekondash u kthye në ferr dhe ndryshoi një komb të tërë, ndryshoi të gjithë botën!
Ndjesitë e para ishin ato të habise, moskuptimit, ngurimit. Një sulm që ndoshta nuk e kuptuan në fillim, askush nuk priste një goditje të tillë….dhe askush nuk priste që kullat të shembeshin në atë mënyrë.
Një dekadë më pas, ndjesitë janë përsëri mikse. Ka njujorkezë që thonë se tani, pas kaq kohe, nuk kanë më frikë. Për shumë të tjerë, është momenti të ndalojnë e të kujtojnë ata që nuk janë me.
Por ekziston edhe një kategori tjetër për të cilën ky 10 vjetor nënkupton dicka krejt ndryshe, një mundësi për ta lënë të shkuarën pas. Mijëra banorë të Nju Jorkut vendosen ta kalojnë këtë 11 shtator larg qytetit të tyre. Arsyeja nuk është dëshira për të harruar, por nevoja për të mos kujtuar, për të mos përjetuar sërish tmerrin e asaj dite.
“Nuk dua që jeta ime të diktohet nga momenti më i llahtarshëm që dikush mund të imagjinojë” tha për Wall Street Journal, 50 vjecari Sean Mcgowan, që humbi asokohe disa nga kolegët e tij.
Përpjekja për të shmangur kujtimet e dhimbshme, sipas ekspertëve, është dicka që duhej pritur. Njerëzit, thonë ata, gjithmonë tentojnë të mos flasin për traumën, të mos e mendojnë dhe mbi të gjitha të mos e përjetojnë sërish atë.
Për shumë nga ata që humbën një të afërm në sulmet e 11 Shtatorit, dhimbja nuk largohet kurrë. Ai ishte drita e syve të mi, i tha Associated Press, Pathmawathy Navaratnam, e ëma e një analisti financiar 23 vjecar të vrarë në Kullat Binjake. “Ishte një njeri plot jetë dhe nuk mund ta pranoj që nuk është më. Une jetoj, por brenda jam e vdekur”, thotë ajo.
Ka shumë mënyra për ta parë 11 Shtatorin. Një artikull për “The Nation”, shkruar nga Gregor Peter Schmitz , thotë se sulmet nxiten njëfarësoj fillimin e një rënieje për Ameriken. Rrënojat e qendrës botërorë të tregtisë ende nxirrnin tym, kur Richard Armitage, asokohe ndihmës/sekretar Shteti, deklaroi: Historia fillon sot.
Përgjatë dekadës që do të vinte, fjalet e tij do të provoheshin të drejta, vetëm se politikani nuk kishte sesi të parashikonte sa tragjike do të ishte vërtet historia pas eventit epokal.
Është rrëfenja e zbehjes së Amerikës si superfuqi, thotë Schmitz. Përpara sulmeve, Shtetet e Bashkuara ishin në Lulëzim të plotë, ashtu si Roma në kulmin e vet. Presidenti republikan Xhorxh Bush kishte trashëguar një tepricë të bollshme buxheti nga paraardhësi demokrat Bill Klinton. Në Kosovë, Amerika, që Madeleine Allbright e pati mbiquajtur “kombi i domosdoshëm”, sapo i kishte treguar europianeve si mund t’i zgjidhte problemet edhe në oborrin e shtëpisë se tyre.
Atëherë erdhën avionët e pilotuar nga ndjekësit e Osama Bin Ladenit, dhe për një moment, superfuqia u duk më e fuqishme së kurrë. Vetë lideri palestinez Jaser Arafat u fotografua duke dhuruar gjak për viktimat. Francezët, papritur, dëshiruan të ishin amerikanë. Ish-kancelari gjerman Gerhard Shrëder premtoi solidaritet pa kufi. Vetëm se ajo që ndodhi më pas ishte një gabim pa kufi.
Bin Ladeni kishte shpresuar t’i zhyste amerikanët në luftëra të përgjakshme dhe ndoshta as vetë nuk e kishte imagjinuar sa mirë do t’ia arrinte qëllimit. Amerika ngeci në çarkun e konfliktit të Irakut për vite me radhë, ku fitores iu desh shumë kohë të mbërrinte dhe asnjëherë nuk qe reale. Është aktualisht e mbërthyer në Afganistan, ku fitorja nuk duket më e mundur dhe është e bllokuar në një marrëdhënie të cuditëshme me Pakistanin, të cilit nuk i beson më, por edhe nuk e lëshon dot.
Këto, thotë Shmitz, janë humbje të renda për Shtetet e Bashkuara dhe për të gjithë botën. Janë humbje jetësh njerëzore, me 140.000 civilë të vdekur në Irak dhe Afganistan dhe humbje financiare prej më shumë se 3 trilionë dollarësh, që më mirë të shkonin nëpër shkolla apo edhe në portofolet e amerikanëve.
Kjo dekadë terrori, vazhdon artikulli, i traumatizoi amerikanët e i ktheu në viktima. E përmbledhur në pak fjalë nga New York Magazine, 10 vjet më vonë, Amerika duket pak a shumë si gjithë vendet e tjera, qasja ndaj kapitalizmit është më e komplikuar, mobilizimi i klasave më pak i sigurtë, emigrantët dhe diversiteti, më pak unikë. Edhe në politikën e jashtme, nuk shihemi më si model. Të udhëheqësh nga prapa-vija, është motoja e Barak Obamës, të cilën presidenti e parashtron si nevojshmëri, por që ndoshta diktohet nga kushtet aktuale.
Top Channel