Zgjedhjet e 2009-s, si ndryshoi raporti?

05/09/2011 22:45

Zgjedhjet e 2009-s, raporti i OSBE/ODIHR, pakënaqësitë e OSBE-së dhe ndryshimet që pësoi drafti përfundimtar i raportit, janë çështje e nxehta që preken në disa nga kabllogramet, tashme jo vetëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, por edhe të misionit amerikan në Vjenë pranë Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Në një kabllogram të misionit amerikan në Vjenë, raportohet fjalimi i kreut të presencës së OSBE-së në Shqipëri, që ai e ka mbajtur si përvit para Këshillit të Përhershëm të organizatës në Vjenë në 22 tetor të 2009-s.

Raporti i tij ka nxjerrë në pah si progresin, ashtu edhe sfidat e mbetura për reformat në vend, ndërsa kërkoi ta theksonte bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë e Shqipërisë.

Në raportin e tij 10 faqësh, Bosch përmendi situatën politike problematike post-zgjedhore dhe bëri një sërë rekomandimesh të posaçme për përmirësimin e sistemit elektorale. Privatisht, kreu i prezencës së OSBE-së, i tha përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara në OSBE, Casey Christensen se nga 16 ndryshimet e Kodit Elektoral që ai i kishte propozuar ODIHR-t për raportin e tij, kishte pranuar vetëm 4 dhe Bosch po përdorte raportin e vet për të evidentuar ato që besonte se ishin rekomandimet më të rëndësishme dhe që nuk u përfshinë nga ODIHR-i.

Ndër to ishin dhe ndryshimet e përbërjes së strukturave të KQZ-së (CEC), ndryshimet mbi mënyrën e llogaritjes së mandateve për të ndihmuar partitë e vogla, si dhe maskimi i kutive të votimit gjatë procesit të numerimit në mënyrë që origjina e tyre gjeografike të mos përcaktohej dot.

Bosch ka rrëfyer gjithashtu se raportin e ODIHR-t e shihte si jo domosdoshmërisht pasqyrues të realitetit, pasi konspekti përshkruante më së shumti aspektet pozitive të zgjedhjeve, ndërsa varroste ato negative të organizmit kryesor.

Në një tjetër kabllogram, kabllograme e 29 janarit 2010, kreu i presencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch i tha në 15 janar të ngarkuarës me punë të SHBA-së në OSBE, Carol Fuller, se situata politike në Shqiperi ishte gjithmonë e më problematike. Ai vuri në dukje sulmet shumë personale kundër Ramës dhe presionin mbi median e pavarur dhe u deklaroi se sidomos përdorimi nga qeveria i rregullave të zbatuara në mënyrë selektive për të goditur mbështetësit e PS-së ishte diçka jashtë kontrollit dhe e rrezikshme.

Bosch kritikoi ODIHR-in që e tërhoqi misionin vëzhgues tepër shpejt në zgjedhjet e 2009-s si dhe për mospërmendjen e vendimit të pasaktë të Kolegjit Zgjedhor lidhur me kërkesën e PS-së për të rihapur kutitë, duke thënë se ODIHR-i ishte “gjunjëzuar” në këtë çështje që të mos përkeqësonte problemet me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

Por duket se problemet që pasqyron Bosch në raportimet e tij nisin që përpara zgjedhjeve, që me caktimin e Odri Glover si drejtuese e misionit të vëzhguesve. Dhe në fakt, në fund nuk ishte Glover ajo që hartoi raportin përfundimtar, i cili sipas Bosch nuk pasqyroi realitetin.

Top Channel